Nafie Selmani
Deklarata e Kim Mehmetit se “shqiptarët e Kosovës flasin një gjuhë që nuk është as toskërisht as gegërisht, por një gjuhë që mbulon injorancën e tyre për të folur gjuhën letrare” paska nxitur reagime të ashpra, sidomos nga kosovarët.
Pa qenë e thirrur t’i bëj avokatin askujt, si shkupjane me origjinë 100% kosovare me prindër, gjyshër e stërgjyshër nga Kosova, më duhet ta pranoj se Kim Mehmeti, pavarësisht ashpërsisë së shprehjes, paska thënë një të vërtetë të hidhur.
Askush nuk mund ta mohon se askund në hapësirën shqiptare gjuha në media nuk është përdhosur më shumë se në shumë prej televizioneve të Kosovës. Mjafton të kujtojmë se në sa emisione (ekonomike, politike, kulturore) dëgjojmë shprehje si: “ça bone… ça po menon… ja dha (për: ja jep)… ku met…” dhe shumë të tjera të ngjashme që as dialekt nuk janë, as gjuhë standarde. Janë thjesht deformime që me kohë po normalizohen.
Të gjithë e duam dialektin tonë, edhe unë vetë flas lirshëm me dialekt në biseda private, dhe është krejt natyrshëm ta ruajmë identitetin tonë lokal. Por në media, në hapësirat publike, kërkohet një minimum respekti për gjuhën shqipe. Jo për t’u dukur “toskë”, as “gegë”, por për t’a ruajtur dinjiten e gjuhës tonë që na mban bashkë.
Ruajtja e dialektit është pasuri, natyrisht, madje edhe obligim gjuhësor. Por përpjekja për të folur drejt e saktë në media është detyrim. Dhe këtu, për fat të keq, kritika e Kim Mehmetit qëndron.


