Personat në foto janë Erzen Uka dhe Julian Cumraku, të cilët për 12 orë qëndruan të ngujuar në një banesë në fshatin Orosh të Pukës.
Policia thotë se dy të rinjtë u vetëdorëzuan për shkak të pamundësisë për t’u larguar dhe pas negociatave me të afërmit e tyre.
Gjatë 12 orëve në rrethim, Erzen Uka dhe Julian Cumraku u mbyllën në banesë dhe reaguan me armë ndaj punonjësve të RENEA-s duke u rrezikuar jetën.
Blutë informojnë se rreth orës 09:00, konstatuan një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur brenda në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit me iniciale P. C. (Gjyshi i Julian Cumrakut).
Ky person raportohet se nuk iu është bindur thirrjes për të dalë nga banesa duke kërcënuar efektivët, ndërsa në përforcim kanë shkuar Forcat Speciale Renea, ndaj të cilëve nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri.
Në murin e shtëpisë shihet i varur një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), krahas 4 automatikëve dhe një pistolete, që u sekuestruan nga policia.
Gjithashtu brenda banesës u gjetën 17 granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.

E shkuara e dy personave
Erzen Uka, 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, rezulton i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.
Ndërsa Julian Cumraku, 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje”.
Cumraku dhe Uka ishin prej kohësh nën vëzhgimin e Antiterrorit, teksa Erzen Uka, një ish-pjesëtar i forcave paqeruajtëse të Shqipërisë në Irak, ishte dënuar me tre vite heqje lirie nën akuzën e urrejtjes fetare.
Në vitin 2015, Uka u arrestua si i dyshuar për përgatitjen e fëmijëve dhe të rinjve për t’u bashkuar me ISIS, akuzë që aso kohe solli përplasje të forta mes Ukës dhe gjyqtarit Bibë Ndreca.
Dy personat, ndonëse rrallë ishin parë në rrugët e fshatit, nuk kishin shkaktuar probleme. Madje, ata kishin frekuentuar edhe xhaminë e fshatit Kryezi, në të cilën nuk ofrohen shërbesa të rregullta për shkak të mungesës së personelit fetar.


