Rruga Qukës-Qafë Plloçë në qarkun e Korçës është dëmtuar pas shirave të fundit, duke nxjerrë në shesh skandalin infrastrukturor dhe ekonomik të ndërtimit të saj jashtë standardeve dhe nën dyshimin për qëllime elektorale dhe abuzimi.
Romeo Nazarko, inxhinieri që denoncoi ndër të parët këtë tender dhe investim si një projekt jashtë standardeve dhe pa cilësi, ka folur sot për “News 24”
Inxhinieri thekson se ajo rrugë është e rrezikshme për sigurinë e udhëtarëve dhe drejtuesve të mjeteve. Madje parashikon edhe dëmtime të tjera nga erozionet, për shkak të mungesës së cilësisë.
“Qukës-Qafe Pllocë është një rrugë e rrezikshme, mund të ketë rrëshqitje të tjera. Ai segment është i rerëzikshëm për udhëtarët”, shprehet ai.
Inxhinieri shpjegon se nëse punimet do ishin bërë me cilësi për atë shumë parash që u harxhua nga buxheti, aksi nuk do ishte shembur. Për këtë shkak segmenti nuk ka kushtet minimale të sigurisë.
Madje shton se i njëjti fënomen ka ndodhur edhe me rrugën tjetër Korçë-Ersekë, teksa theksoi dukurinë se rrugët janë bërë pa kolaudime, pa ekspertë dhe vetëm janë hedhur para në mënyrë abuzive.
“E njëjta gjë edhe me Korcë-Ersekë. Janë bërë rrugë pa projekte, pa ekspertë pa kolaudime”, tha ai mes të tjerash.
Ai shpjegoi dhe anën inxhinierike dhe infrastrukturore, ku rrugën bëhen pa projekte dhe vetëm hidhet asfalte.
“Rrugët duhen bërë me projekte, nëse bëhen në këtë mënyrë ato janë të sigurta dhe të qëndrueshme. Ajo përfundoi siç nisi, vetëm me gjurmë e ca fotografime, hap dhe shtro, hap dhe shtro asfalt. Pa bërë asnjë llogari tjetër, se sa mban ajo tokë, a mban mali dhe a ka siguri. Nëse bëhen me projekte, ato nuk shemben. Duhet të bëhet ligji sipas standardeve të BE-së, ndryshe do vazhdojmë kështu, me drejtorët e ARRSH që shkojnë në burg dhe rrugë që prishen”, shpjegoi Nazarko.
Në fund ai nënvizoi se nuk respektohet ligji për tenderimet.
“Nuk po respektohet ligji për tenderimet ndaj ndodhin këto. Nëse ai ligj respektohet atëherë edhe rrugët do bëhen më mirë edhe njerëzit nuk arrestohen apo largohen”, përfundoi inxhinieri.


