Pesë persona janë evakuuar sot nga autoritetet përkatëse në disa fshatra në Beratit për shkak të situatës së rënduar nga përmbytjet.
Mësohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Dimal, ndërhynë menjëherë në fshatrat Çiflik dhe Arrëz, duke evakuuar 5 shtetas, ndërmjet tyre një të moshuar 100-vjeçe nga fshati Çiflik.
Shërbimet e Policisë në Devoll iu shkuan në ndihmë gjithashtu banorëve të fshatit Progër, Bashkia Devoll, pasi si pasojë e reshjeve të dendura ka pasur përmbytje.
Gjithashtu prej mëngjesit shërbimet policore të Devollit vazhdojnë kërkimet për gjetjen e një 75-vjeçareje nga fshati Progër, që është larguar nga banesa dhe vuan nga probleme të shëndetit mendor, e cila dyshohet se mund të jetë marrë nga rrjedha e ujit.
Ndërkohë, në të gjitha akset rrugore, Policia Rrugore ka shtuar prezencën për të parandaluar aksidentet rrugore dhe për t’ju ardhur në ndihmë përdoruesve të rrugës në nevojë.


