Situata në qarkun e Lezhës mbetet kritike për shkak të reshjeve intensive të shiut.
Autoriutetet bëjnë me dije se orët në vazhdim pritet të jenë dinamike sa i përket menaxhimit të situatës, ndërsa theksoi angazhimin maksimal të strukturave në terren.
Ministri Vengu njoftoi se është kërkuar mbështetje me mjete shtesë, për të cilat ka pasur reagim të menjëhershëm nga Ministria e Bujqësisë.
Duke bërë një panoramë të situatës aktuale, Vengu theksoi se ka forca te ushtrisë qe janë dislokuar në Kurbin, si zona më e prekur nga reshjet dhe dëmet e shkaktuara deri tani, ndërsa trupa të tjera janë vendosur edhe në Lezhë për t’i paraprirë përkeqësimeve të mundshme.
Sipas tij, po ndërhyhet gjithashtu në tre zona ku urat kanë pësuar dëmtime dhe paraqesin rrezik.
Reshjet e dendura dhe prurjet nga përrenjtë malorë kanë shkaktuar probleme në Bashkinë e Lezhës, ku është dashur ndërhyrja e ekipeve të emergjencave civile.
Si masë sigurie, janë evakuuar 4 familje ne Zejmen, banesat e te cilave janë nen nivelin e kanaleve kulluese e për pasoje janë përmbytur, dhe këto familje janë strehuar në konviktin e shkollës profesionale në qytetin e Lezhës.
Një situatë e ndërlikuar paraqitet në lagjen “Sake”, një zonë depresive ku disa banesa janë rrethuar nga uji aktualisht.
Për shkak se zona ka status të mbrojtur, ndërhyrjet e Bashkisë kërkojnë aprovimin e Ministrisë, duke e vështirësuar menaxhimin e menjëhershëm.
Shqetësuese mbetet gjendja edhe në Njësinë Administrative Kallmet, ku rezervuari ka arritur pikën maksimale për shkak të prurjeve të shumta. Probleme janë regjistruar edhe në Dragushë dhe në Dajç, ku kanalet e ujërave të larta paraqesin rrezik nëse reshjet vazhdojnë me intensitet.
Në Kurbin, zona me e prekur nga përmbytjet ka patur vetëm një familje te evakuuar në fshatin Gjorm, ndërsa në Mirditë situata paraqitet më e qetë, me probleme të kufizuara në disa rrugë rurale ku janë shënuar rrëshqitje dhe prani inertesh. Ndërhyrjet e kryera gjatë ditës kanë stabilizuar gjendjen.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Ujitjes dhe Kullimit njoftoi se hidrovoret po funksionojnë me kapacitet të plotë. Ekipet kanë ndërhyrë në kanalet kulluese të Kurbinit dhe në kanalet e ujërave të larta të Zadrimës, duke ndihmuar në parandalimin e përkeqësimit të situatës.
OSHEE raportoi ndërprerje të energjisë në disa zona gjatë paradites, por ndërhyrjet teknike kanë bërë të mundur rikthimin e furnizimit në të gjitha zonat.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë ka shtuar patrullat dhe monitorimin në akset problematike, për të kufizuar lëvizjen e mjeteve dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Ministri Vengu u bëri thirrje të gjitha strukturave të vijojnë gatishmërinë maksimale, pasi reshjet pritet të vazhdojnë edhe në orët dhe ditët në vijim.


