Nëna e Martin Canit ka folur me dhimbje të thellë në 1-vjetorin e vrasjes së të birit, duke treguar se jeta e saj ka ndalur që prej ditës kur humbi fëmijën. Ajo kërkon drejtësi dhe i bën thirrje institucioneve të mos heshtin për raste të tilla.
Një vit pas ngjarjes tragjike që tronditi vendin, nëna e Martin Canit është shfaqur sot përpara mediave, duke rrëfyer vuajtjen që e shoqëron çdo ditë që nga humbja e 14-vjeçarit.
“Unë sot mbush një vit që nuk jetoj normalisht. Që prej ikjes së Martinit kam vështirësi edhe në frymëmarrje. Dhimbja është çdo ditë me mua,” tha ajo mes lotësh.
E ëma përshkruan Martinin si një djalë të sjellshëm, të dashur dhe me pasion për futbollin, që – sipas saj – nuk e meritonte fundin tragjik.
“Martini ishte fëmijë i ëmbël, i dashur, i mirë. Kishte të gjitha cilësitë dhe nuk meritonte të ikte në atë mënyrë mizore. Në vend që të ishte shok, iu bë armik dhe i mori jetën. Heshtja vret, prandaj nuk duhet të heshtim,” u shpreh ajo.
Në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për 25 vite burg ndaj autorit të dyshuar të ngjarjes, Mario Përlleshaj, ajo tha se është në pritje të vendimit, por paralajmëroi se do ta apelonte nëse ai përfiton nga gjykimi i shkurtuar.
“Jemi ende në pritje të vendimit. Por unë do jem këtu dhe do ngre zërin për fëmijën tim. Po, do ta apeloj patjetër,” deklaroi ajo.
Nëna e 14-vjeçarit u bëri thirrje institucioneve, mësuesve, psikologëve dhe stafit arsimor që të jenë më vigjilentë dhe të mos neglizhojnë sinjalet e dhunës së mundshme mes të miturve.
“Nuk dua të ketë më asnjë fëmijë fatin e Martinit, asnjë nënë dhimbjen time,” përfundoi ajo.


