Giovanni Chinnici, djali i gjyqtarit të famshëm italian Rocco Chinnici ndodhet në Shqipëri me ftesë të Hysenbelliu Group, për projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme.
Në një intervistë për News24, Giovanni Chinnici tha se Sicilia dhe Italia po jetojnë një moment të favorshëm në sektorin turistik dhe se Grupi Hysenbelliu ka angazhime tepër të rëndësishme.
Ai theksoi se projektet që Hysenbelliu Group mund të ndërmarrë në Sicili mund të jenë projekte shumë të rëndësishme që mund të sjellin avantazhe edhe në kuadrin e sipërmarrjes.
“Sicilia dhe Italia po jetojnë një moment të favorshëm në sektorin turistik. Grupi Hysenbelliu ka një angazhim të rëndësishëm në këtë sektor, kështu që projektet që grupi mund të ndërmarrë në Sicili mund të jenë projekte shumë të rëndësishme që mund të sjellin avantazhe edhe në kuadrin e sipërmarrjes”, tha Giovanni Chinnici.INTERVISTA E PLOTË
Si ishte jeta e përditshme e babait tuaj jashtë punës si gjyqtar? Ju keni bërë një libër për të “300 ditë me diell”, si e përshkruani atë?
Giovanni Chinnici: Unë kam rrëfyer në librin “300 ditë me diell” jetën time si djali i Rocco Chinnici, pikërisht për periudhën kur babai im ishte i angazhuar kundër mafias dhe krimit të organizuar në Sicili. Por ai ishte edhe një baba. Këto detyra — baba, magjistrat dhe bashkëshort — ishin pjesë e një njeriu. Ajo që unë përshkruaj lidhet me rolin e tij si baba, por edhe si magjistrat. Ishte një njeri shumë alegro, i qeshur. Kështu ishte edhe në zyrë me kolegët e tij, dhe kishte këtë forcë psikologjike, këtë kurajo të madhe që e shtynin të përballonte një mafie, që në ato vite ishte shumë e dhunshme dhe e rrezikshme; gjithmonë e përballonte me shumë qetësi. Këtë na e përcillte edhe neve familjarëve, pavarësisht rreziqeve shumë të mëdha.
Si e përjetonte ai rrezikun që e shoqëronte çdo ditë?
Giovanni Chinnici: Ai e jetonte me shumë normalitet. Thoshte që për një gjykatës në ato vite ishte normale të përballej me rrezikun se mund të vritej. Dhe përtej kësaj, përballonte detyrën e tij si drejtues i zyrës së instruksioneve sikur të ishte një gjë normale, një gjë e zakonshme. Dhe këtë normalitet, edhe pse në realitet po bënte diçka jashtëzakonisht të fortë kundër mafias, e përcillte edhe tek ne familjarët. Kështu që për ne ai bënte një punë normale.
A ishte familja juaj plotësisht e vetëdijshme për rreziqet që ai përballonte?
Giovanni Chinnici: Po, ishte plotësisht e vetëdijshme, edhe sepse mbërrinin kërcënime përmes telefonit; në atë kohë nuk kishte telefona celularë. Kështu që kërcënimet bëheshin ose përmes letrave, ose përmes telefonit të shtëpisë. Ndonjëherë merren edhe nga ne fëmijët e tij, ose nga nëna ime. Kështu që ne i dinim shumë mirë rreziqet me të cilat përballej. Përtej kësaj, në ato vite tashmë disa magjistratë ishin vrarë: Terranova, Costa — ishin kolegë të babait tim që u vranë disa vite para tij — funksionarë të ndryshëm policie, nëpunës shteti. Në ato vite dihej që kush përballej me mafian mund të vritej. Kështu që ishim plotësisht të vetëdijshëm. Por falë qetësisë së tij, alegros së tij, ia dolëm ta përballonim atë rrezik me qetësi.
Sipas jush, çfarë e dallonte Rocco Chinnicin nga gjyqtarët e tjerë të kohës së tij?
Giovanni Chinnici: Kjo është një pyetje komplekse, sepse në ato vite edhe një pjesë e magjistratëve nuk kishin një angazhim kundër mafias. Disa nuk kuptonin rrezikun aktual dhe të së ardhmes që përfaqësonte mafia, disa të tjerë e dinin, por nuk donin të ndërmerrnin rreziqe. Në këtë kuptim Rocco Chinnici ishte një pionier, edhe në profilin e kurajos profesionale, sepse ai e kishte të qartë tashmë se mafia kishte krijuar një profil jashtëzakonisht të rrezikshëm dhe të dhunshëm. Dhe kështu, në detyrën e tij, fillimisht si gjyqtar dhe më pas si drejtues i zyrës, ai nuk mund të tërhiqej nga ky detyrim civil dhe profesional që të kontrastonte në mënyrën më efikase të mundshme mafian. Në këtë kuptim, puna e tij në të vërtetë ishte ajo e një pionieri. Mbi të gjitha për krijimin e këtij grupi që u quajt “antimafia”.
Si e konceptonte ai drejtësinë dhe rolin e shtetit përballë mafies?
Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici quhej gjykatës, jo magjistrat, kështu që drejtësia për të ishte kjo vlerë që përbënte detyrën e tij institucionale. Ai ishte gjykatës dhe si gjykatës duhej të administronte drejtësinë; drejtësia nuk pranonte forcën e dhunës, në kontrast me fuqinë e demokracisë dhe të institucioneve. Pra angazhimi i tij institucional si gjykatës koincidonte me vlerat e drejtësisë që ai i administronte.
A mendoni se shoqëria italiane e ka vlerësuar plotësisht kontributin e tij sot?
Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici, edhe në Itali, është një magjistrat më pak i njohur se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino. Por kjo varet nga momenti kur të tre këta magjistratë u vranë — dhe të tre me të njëjtën mënyrë, me autobombë. Në 1983, kur u vra Rocco Chinnici, ishte atentati i parë me autobombë, sepse magjistratë të tjerë apo policë ishin vrarë me pistoletë. Ndërsa për Rocco Chinnici, për herë të parë u përdor një autobombë. Në 1983 ende shoqëria italiane dhe ajo siciliane nuk e kishin kuptuar rrezikun e mafias dhe rëndësinë e rolit të magjistratëve. Kur 9 vjet më vonë u vranë Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino, që kishin qenë dishepujt e Rocco Chinnicit, shoqëria ishte shumë më e pjekur; e kishte kuptuar se cila ishte rrezikshmëria e krimit mafioz, kështu që reagoi në mënyrë më të plotë, më të vetëdijshme, dhe e kishte kuptuar shumë më mirë rëndësinë e punës që bënin këta magjistratë. Kështu që sot ka një kuptim më të plotë të rolit që luajti Rocco Chinnici. Ndaj mbetet një figurë më pak e njohur se Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino.
Cili ishte raporti i tij me Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino?
Giovanni Chinnici: Rocco Chinnici u bë drejtues i zyrës së instruksioneve në 1980. Në 1980, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino ishin dy gjykatës shumë më të rinj, ishin rreth 40 vjeç; në këtë moshë, kur punon si gjykatës, konsiderohesh i ri. Ai duhej të krijonte një grup magjistratësh dhe pikasi këta dy gjyqtarë të rinj. Paolo Borsellino ishte tashmë në zyrën e tij të instruksioneve, Giovanni Falcone jo — ishte në një tjetër zyrë. Të dy njiheshin, dhe Rocco Chinnici i propozoi Giovanni Falcones në zyrën e instruksioneve, në grupin antimafia, në grupin e magjistratëve që do të mbanin këtë detyrë të rëndësishme kundër mafias. Lind në 1980 ky grup magjistratësh, i njohur si “antimafia”, që fillon këtë luftë të jashtëzakonshme, edhe pse dramatike, kundër mafias.
A mund të na shpjegoni rëndësinë dhe risinë e “grupit antimafia” që ai krijoi?
Giovanni Chinnici: Rëndësia është themelore për dy arsye. Para Rocco Chinnicit, të gjitha faktet që lidhnin me mafian në atë kohë — kujtojmë se kishte qindra vrasje mafioze në Palermo — trajtoheshin sikur ishin ngjarje të veçuara, jo të lidhura me njëra-tjetrën. Rocco Chinnici e nuhati që duheshin lidhur nga këndvështrimi i hetimit dhe i drejtësisë të gjitha këto ngjarje që ndodhnin, edhe pse mund të ishin në distancë territoriale nga njëra-tjetra. Ishte e domosdoshme të krijonte një grup gjykatësish që të mund të punonin bashkë, të ndanin mes tyre elementet investigative dhe ata të gjykimit. Dhe për këtë arsye krijoi një metodë gjykimi që ende sot është baza e luftës kundër krimit të organizuar, mafias, jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën perëndimore. Pra metoda që Rocco Chinnici krijoi — metoda e specializimit, e punës në grup — është një mënyrë që sot përdoret nga të gjithë magjistratët europianë perëndimorë dhe në SHBA, e cila bazohet shumë tek bashkëpunimi ndërkombëtar.
Giovanni Chinnici: Jeta ime ndryshoi në mënyrë radikale. Unë isha një djalosh, isha vetëm 19 vjeç. Dhe babai im ishte për mua, ashtu si për të gjithë familjarët, shtylla e familjes. Ishte një njeri shumë i fortë, që na jepte energji dhe kurajo të gjithëve në familje, si në gjërat e vogla, ashtu edhe në ato të mëdha. Kështu që pas vrasjes së tij, unë isha i detyruar — ashtu si familja ime — të rikrijoja jetën time, duke jetuar pa shtyllën e familjes. Dhe pak nga pak, me kalimin e viteve, besoj se ia kam dalë.
A mendoni se është bërë drejtësi e plotë për vdekjen e babait tuaj?
Giovanni Chinnici: Kjo është një pyetje komplekse, sepse për babain tim — ashtu si për magjistratë të tjerë, përfaqësues të institucioneve, biznesmenë, gazetarë, politikanë që janë vrarë — janë bërë procese shumë të rëndësishme, që kanë evidentuar përmasat e këtyre masakrave. Kështu që ata mafiozë, edhe ata që organizuan masakrat, u dënuan që nga faza fillestare e masakrave. Ajo që mbetet në hije, në ato kohë në Itali, dhe që ka ende procese që duhet të zbulojnë se kush i ka urdhëruar këto masakra. Dhe kjo është shumë e vështirë të zbulohet edhe nga drejtësia, pasi kanë kaluar shumë vite.
Cili ishte momenti më i vështirë për ju pas asaj humbjeje?
Giovanni Chinnici: Në vitet e para kishte dhimbje, ishte dhimbja për atë gjë të tmerrshme që kishte ndodhur. Ka edhe pamje nga masakra që kishte ndodhur, që unë i përjetova fillimisht nga shtëpia. Isha i pari absolutisht që e mora vesh. Ishin vite të karakterizuara nga dhimbja e tmerrshme, por ishte e nevojshme të ndërtohej ky ekuilibër në brendësi të personalitetit tim dhe të familjarëve që kishin më pak rol me vdekjen e babait tim. Ishte shumë e vështirë. Sot, përkundrazi, mund të them se çështja e babait tim, edhe pse e dhimbshme, është një pasuri e jetës sime. Sepse falë ndjekjes së punës së këtyre magjistratëve, ai ka lënë shembuj të rëndësishëm që u zhvilluan jo vetëm në Itali, por edhe në Europë, që zbatuan metodën e tij si gjykatës. Kështu që për mua është një pasuri — por u deshën shumë vite për këtë.
Sipas jush, cilat janë pengesat kryesore që sot ndalojnë vazhdimin e angazhimit për ligjshmëri që kishte nisur babai juaj?
Giovanni Chinnici: Unë besoj që sot magjistratura, policia, institucionet që angazhohen në luftën kundër krimit të organizuar kanë arritur nivele të efikasitetit ekstremisht të vlefshme. Kështu që sot në Itali nuk ekziston më një problem i luftës kundër krimit të organizuar. Mafia, krimi i organizuar, sot luftohen në Itali me efikasitet të lartë. Ajo që është e nevojshme të bëhet, dhe ka ende shumë për të bërë, është një punë sociale. Pra të punohet me ato kategori të shoqërisë italiane — dhe janë ende shumë — sidomos në jug. Italia është shumë e ndryshme nga jugu në veri. Këto kategori që janë ende të dobëta janë ata mbi të cilët mafia, ndryshe nga vitet ’70, ’80, ’90 të shekullit të kaluar, përpiqet të ndikojë duke u ofruar të mira që shteti nuk mund t’ua japë. Sot nuk ekziston një emergjencë për mafian. Mafia nuk qëllon më, nuk bën veprime të dhunshme. Ekziston një problem social që nuk duhet të përballohet nga magjistratura dhe policia, por nga komponentë të tjerë të shtetit.
Sipas jush, çfarë mund të mësojë Shqipëria nga përvoja italiane në luftën kundër mafies dhe korrupsionit?
Giovanni Chinnici: Metoda që u krijua dhe u aplikua nga Rocco Chinnici dhe gjykatësit e tij, duke nisur nga fillimi i viteve ’80, është ajo që u përshtat nga të gjitha magjistraturat perëndimore. Dhe unë besoj se kjo metodë ka një vlerë universale. Kështu që sot besoj se ekziston një moment veçanërisht i favorshëm i bashkëpunimit mes Europës, Shqipërisë dhe Italisë, ku mund të shërbejnë edhe përvojat e drejtësisë.
A besoni se vlerat e drejtësisë dhe ligjshmërisë që përhapi babai juaj janë universale, të vlefshme edhe për vende që sot përballen me vështirësi të ngjashme si Shqipëria? Shpesh e krahasojnë mafien shqiptare me atë italiane.
Giovanni Chinnici: Vlerat e drejtësisë, të shoqërisë, të respektimit të rregullave kushtetuese, janë rregulla universale. Në këtë kuptim nuk ka ndonjë diferencë mes shteteve të ndryshme, siç është BE-ja, apo ndaj shteteve që nuk janë pjesë e saj. Janë vlera universale dhe si të tilla mund të zbatohen si në nivel konceptual, ashtu edhe në atë të zbatimit.
Ju jeni ftuar në Shqipëri nga Hysenbelliu Group. Cilat janë projektet që ju bashkojnë?
Giovanni Chinnici: Sicilia dhe Italia po jetojnë një moment të favorshëm në sektorin turistik. Grupi Hysenbelliu ka një angazhim të rëndësishëm në këtë sektor, kështu që projektet që grupi mund të ndërmarrë në Sicili mund të jenë projekte shumë të rëndësishme që mund të sjellin avantazhe edhe në kuadrin e sipërmarrjes.


