Burgu i Bënçës në Tepelenë është mbyllur zyrtarisht, duke shkaktuar një situatë të rëndë sociale në zonë. Sipas burimeve pranë institucionit, rreth 70% e personelit kanë dhënë dorëheqjen pasi nuk kanë mundur të përballojnë transferimet në qytete të tjera, ndërsa 30% vijojnë punën vetëm për një periudhë tranzitore prej rreth tre muajsh.
Mbyllja e institucionit ka goditur ndjeshëm Tepelenën, pasi afro 100 punonjës kanë mbetur pa punë në një zonë ku mundësitë e punësimit janë të kufizuara.
Situata shihet nga banorët si një “goditje e dyfishtë”, veçanërisht për familjet që për vite të tëra janë mbështetur ekonomikisht tek paga e këtij institucioni.
Urdhri zyrtar për mbylljen e burgut ka mbërritur vetëm një ditë pas zgjedhjeve, duke hapur debate dhe pakënaqësi në komunitet. Banorë dhe punonjës e konsiderojnë vendimin të papritur dhe të paqartë në argumentim, ndërsa kërkojnë që institucionet qendrore të ofrojnë zgjidhje për qindra familje të mbetura pa të ardhura.
Aktualisht, janë duke u kryer procedurat e dorëzimit të institucionit dhe transferimit të të dënuarve. Nuk ka ende informacion zyrtar se çfarë destinacioni do të ketë godina pas mbylljes dhe as nëse do të ketë alternativa punësimi për personelin e lënë pa punë.
Ky vendim vjen në një periudhë kur zona përballet me papunësi të lartë dhe largim të vazhdueshëm të të rinjve.
Burgu i Bënçës, një institucion me histori mbi 60-vjeçare
Burgu i Bënçës ka qenë një nga institucionet më të veçanta penitenciare në vend. I ndërtuar në vitet 1960, me një kapacitet prej rreth 70 të dënuarish, ai ka funksionuar për dekada si repart i sigurisë dhe në periudha të ndryshme si burg “rezervë” i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Në këtë burg ka vuajtur dënimin edhe ish kryeministri dhe ish kreu i PS, Fatos Nano.


