21:55 | 13 Nëntor 2025
Një orë xhepi prej ari 18 karatësh, që i përkiste njërit prej pasagjerëve më të pasur të anijes Titanik, Isidor Straus, pritet të shitet për 1 milion paund në një ankand të veçantë në Britani.
Straus, bashkëpronar i dyqanit të famshëm Macy’s në Nju Jork, humbi jetën së bashku me bashkëshorten e tij, Ida, kur Titaniku u mbyt më 14 prill 1912, pas përplasjes me një ajsberg gjatë udhëtimit nga Southampton drejt Nju Jorkut.
Trupi i tij u gjet disa ditë pas tragjedisë dhe midis sendeve personale u zbulua ora e markës Jules Jurgensen, e ndalur në orën 02:20, momenti kur anija u zhduk nën dallgët e Atlantikut.
Ora, e cila besohet të ketë qenë dhuratë nga Ida në vitin 1888 dhe mban inicialet e Straus, është ruajtur me kujdes nga familja e tij brez pas brezi.
Objekti do të shitet në ankand më 22 nëntor nga shtëpia Henry Aldridge & Son në Wiltshire, e njohur për shitjet e relikeve historike të Titanikut.
Bashkë me orën do të ofrohet edhe një letër e rrallë që Ida Straus shkroi gjatë udhëtimit, ku përshkruan luksin e anijes:
“Çfarë anijeje! Kaq e madhe dhe e mobiluar në mënyrë madhështore. Dhomat tona janë të mobiluara me shijen më të mirë dhe më luksoze.”
Letra, me vulë postare “TransAtlantic 7”, pritet të arrijë vlerën 150,000 £, ndërsa ora mund të bëhet një nga sendet më të vlefshme të Titanikut të shitura ndonjëherë./rtsh.al/


