Një skuadër pushkatimi që vepron si entitet i pavarur prej vitesh, me saktësi kirurgjikale në ekzekutime dhe të pamëshirshëm. Me mbështetje dhe të paprekshëm, që marrin porosi dhe gëzojnë fuqi.
Kështu e përshkruan gazetari Artan Hoxha autorësinë e grupit kriminal që po vepron sipas tij prej të paktën 7 vitesh dhe gjatë kësaj kohe kanë eliminuar të pashqetësuar figurat më të mëdha të krimit në vend, njëra pas tjetrës.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, ai sjell dy raste të ngjashme të atentateve të bujshme në vend, duke e shoqëruar edhe me një video. Bëhet fjalë për ekzekutimin më 10 maj 2021 në Vlorë të Bledar Birçajt dhe të 11 nëntorit 2025 (4 vite më pas) në afërsi të aeroportit të Rinasit në Tiranë të Gilmando Danit, krahut të djathtë të Emiljano Shullazit.
Por kush janë ngjashmëritë që nuk janë rastësi sipas gazetarit: Birçaj dhe Dani eliminohen nga një skuadër qitësish gjakftohtë, me armë të precizionit të lartë, të ngjashme, në pritë të organizuar dhe me informacion të detajuar për lëvizjet. Të dy lëviznin nën shoqërinë e agjentëve të policisë, i pari me një oficer Antidroge dhe i dyti me një agjent të AMP-së (Muçi Shaljani, i plagosur). Të dy viktimat ktheheshin apo sapo ishin kthyer nga Spanja.
Postimi i plotë i Artan Hoxhës në Facebook:
“Prej vitesh një skuadër pushkatimi, po vepron si një entitet i pavarur, por me saktësi kirurgjikale.
Kjo skuadër pushkatimi është përgjegjëse për vrasjet më të bujshme në shtatë vitet fundit, duke eleminuar njëri pas tjetrit disa nga figurat kryesore të krimit në dy dekada.
Të pamëshirshëm, të vendosur ndaj kujtdo që është objektiv i tyre, me një efikasitet gati kirurgjikal, ata shfaqen rrallë, por kur shfaqen…. atëherë bëj gati një kurorë me lule për objektivin e tyre.
Asnjë skuadër pushkatimi nuk ka mbijetuar kaq gjatë në botën e krimit sa ata.
Duket sikur atë që nuk e bën dot SPAK, ndërrimin e elitës kriminale në vend, ata po e bëjnë me një efikasitet të frikshëm.
Vrasja e Gilmando Danit, përpara Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, dëshmoi se ata mbeten nën mbrojtjen e Aleancës, struktura kriminale që po kontrollon vendin dhe ekzekutojnë si një zyrë përmbarimi vendimet e saj.
Më poshtë është video e ekzekutimit të 40-vjeçarit Bledar Birçaj nga Vlora.
Duket gati identike si dy pika uji.
Mesditën e 10 majit 2021, Bledar Birçaj, i cili kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Spanja, u qëllua nga një skuadër pushkatimi në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Si në rastin e Rinasit edhe ne Vlorë, viktima udhëtonte nën shoqërinë e oficerit të antidrogës Granit Deromema, ndërsa në pjesën e pasme të automjetit ndodhej dhe 20-vjeçari Edison Zeneli.
Si në rastin e Rinasit, autorët të veshur me uniforma të trupave speciale kanë parkuar në anë të rrugës dhe sapo BMË X5 shfaqet, ata zbresin nga makina dhe hapin zjarr drejt viktimës pa mëshirë, por me saktësi të madhe duke u kujdesur të mos qëllojnë oficerin e antidrogës ne sediljen e parë dhe pasagjerin në sediljen e pasme.
Vrasësit në të dyja rastet kanë informacion të saktë për lëvizjen e viktimës dhe shfaqen në skenë në çastin e duhur.
Edhe në rastin e Vlorës, qitësit kryesor i bie nga dora diçka që duket si automatik, por në fakt është shtrati i një pistolete Glock19. Autori kthehet dhe e merr armën për të mos lënë gjurmë në vendin e krimit.
Pajisja në dukje si automatik, shërben për ta kthyer pistoletën në një armë me preçizion të lartë pasi në këtë mënyrë qitësi e fikson armën me të dyja duart si automatik.
Kanë më shumë se 4 vite nga ngjarja e Vlorës, por autorët nuk janë gjetur. Në të dy rastet viktimat që sapo janë kthyer nga Spanja, shoqërohen, në Vlorë nga një oficer antidroge, në Rinas nga një agjent i Agjensisë së Mbikëqyrjes Policore.
Nëse nuk do të kishte lidhjet e forta brenda agjensive të zbatimit të ligjit dhe krahët e ngrohtë nga lidhja e fortë me pushtetin, kjo skuadër pushkatimi së bashku me Aleancën që e komandon, nuk do të kishin qëndruar kaq gjatë Të Paprekshëm… Në video atentati i 10 majit 2021, kur ekzekutohet Bledar Birçaj në qytetin e Vlorës”.


