Një tjetër tragjedi ka prekur familjen e 27-vjeçarit shqiptar Sulo Halili, trupi i të cilit u gjet i karbonizuar brenda një makine në Skourta, Beoti, më 8 nëntor.
Nëna e viktimës, vrasja makabre e të cilit është e mbushur me mister, sipas mediave greke, ka ndërruar jetë ditën e djeshme (12 nëntor) pas një arresti kardiak për shkak se nuk ka përballuar dot dhimbjen e humbjes së djalit të saj.
Në të njëjtën kohë, detaje tronditëse po dalin në dritë rreth vrasjes së tmerrshme të të riut, i cili ishte punëtor ndërtimi në Halkida dhe babai i dy fëmijëve të mitur, një prej tyre 1 muajsh.
Takimi fatal në Vilia
Sipas informacioneve paraprake, i riu dyshohet se është “joshur” për të takuar në Vilia një grua që e kishte njohur përmes një aplikacioni takimesh.
Megjithatë, në vend të një takimi me vajzën që kishte njohur, duket se atij i ishte ngritur një kurth i organizuar mirë.
Autorët, sipas informacioneve të deritanishme, e mbajtën rob për rreth 24 orë, gjatë të cilave e torturuan dhe më pas e qëlluan me armë.
Më pas e transportuan trupin e tij në Skourta dhe i vunë flakën brenda një automjeti për të zhdukur gjurmët e krimit.
Automjeti në të cilin u gjet trupi ishte raportuar i vjedhur në maj në Glyfada dhe kishte targa të një makinë tjetër në Pieria.
NZyrtarët e hetimit të vrasjeve besojnë se është e mundur që 27-vjeçari të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas të jetë transportuar në zonën e shkretë ku u gjet automjeti i djegur.
Telefoni celular është “çelësi” i çështjes
Autoritetet policore po vazhdojnë hetimet intensive për zbardhjen e plotë të çështjes.
Në qendër të hetimit është telefoni celular i viktimës, i cili ende nuk është gjetur dhe besohet se përmban informacione thelbësore në lidhje me personat që i kanë bërë kurth dhe e kanë çuar drejt takimit fatal.
Autoritetet policore thonë se hetimi është vetëm çështje kohe, pasi provat do të çojnë tek individët që organizuan dhe kryen vrasjen.


