Ajo që la pas atentati i një dite më parë në Rinas, janë vetëm shenjat e plumbave në fasadat dhe xhamat e bizneseve përreth vendit ku ndodhi krimi.
Siç shihet edhe në këto pamje, plumbat kanë kaluar objektivin. Breshëritë e plumbave kanë prekur xhamat dhe fasadat e bizneseve rreth vendit ku ndodhi krimi i rëndë.
Nga atentati, Gilmando Dano mbeti i vrarë, ndërsa u plagos miku i tij, agjenti i AMP, Muçi Shaljani.
Sekuestrohen kamerat e sigurise
Policia ka këqyrur kamerat e bizneseve dhe të aeroportit për të parë lëvizje të dyshimta për persona të tjerë që mund të kenë patur si rol për të informuar autorët që ndodheshin brenda automjetit tip Toyota.
Makina me autorët ishin të ndaluar te rrethrrotullimi dhe po prisnin viktimën dhe shokun e tij që mbeti i plagosur rëndë.
Po verifikohet për të gjitha mjetet e tjera apo njerëzit që kalojnë disa herë tek porta dalëse e aeroportit, ku të skeduar janë pikërisht ata njerëz që kanë qëndruar më gjatë dhe janë larguar sapo kanë dalë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani Sheqeri.
Gilmando Dani, që mbeti i vrarë në atentat mafioz pranë aeroportit “Nënë Tereza” në Tiranë, është një emër i njohur. Ai njihet si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Emiljano Shullazit, ndërsa ishte cilësuar si person me rrezikshmëri të lartë për shkak të ekspozimit të tij në ngjarje të përbashkëta me Shullazin.
Dani la qelinë e burgut një vit më parë, pasi kreu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Në prill të vitit 2011, Gilmando Dani u shoqërua në polici, pasi ishte së bashku me Emiljano Shullazin kur pengoi zhvillimin e një mitingu të PS në kryeqytet. Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.
Më pas, arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe Dritan Hate. Gjatë këtij aksioni, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.
Si ndodhi ngjarja
Ka qenë ora 14:30 e të martës (11 nëntor) kur persona ende të paidentifikuar sulmuan me breshëri kallashnikovi makinën ku ndodhej Gilmando Dani dhe miku i tij Muçi Shaljani Sheqeri. Ngjarja ndodhi në rrethrrotullimin e Rinasit, kur dy personat sapo kishin ardhur nga Spanja.
Autorët kanë qenë të maskuar me veshje me ngjyrat e rrobave të policisë, me maska dhe kapele, ndërkohë që pasi makina e dy personave të sulmuar nuk ka vijuar të ecë, personi që ka qenë në tokë, ka lënë kallashnikovin dhe me pistoletë, ka hapur derën e pasagjerit që kishte ndërruar jetë dhe ka qëlluar sërish mbi të.
Atentatorët kanë ikur në drejtim të Fushë-Krujës, si gjithnjë kur ndodhin krime në atë zonë dhe kalimtarë të rastit janë afruar për të hapur derën e shoferit të mjetit, pasi është parë që kishte shenja jete. Dera nuk hapej. Policia shkoi aty, por pas qytetarëve, me duar në xhepa.
Një person, civil, thyen xhamin e mjetit, hap derën dhe nxjerr me pak shenja jete jashtë shoferin, që rezultoi të ishte një agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, ndërsa i pajetë në sediljen e parë të mjetit ishte Gilmando Dani, 47 vjeç, një emër shumë i njohur në vendin tonë, më shumë se sa për bëmat e tij, për miqësinë dhe kudondodhjen me Emiljano Shullazin, një prej emrave proverbial të krimit në vendin tonë.
Po ndërsa Shullazi vijon të jetë në qeli, i dënuar dhe me dy masa arresti të tjera shtesë, Gilmando Dani kishte fituar lirinë rreth një vit më parë, ndërsa kishte tentuar të niste edhe jetë të re. Por më 7 nëntor ai është nisur në drejtim të Barcelonës bashkë me mikun e tij të policisë dhe u kthye dje, për të mos dalë i gjallë nga aeroporti.


