Të shumta janë rastet e vajzave dhe grave të zhdukura në Shqipëri, ngjarje që shpesh kanë mbetur pa një zgjidhje dhe fatet e tyre ngelen ende mister. Dhe thuajse gjithmonë të dyshuar për zhdukjen apo vrasjen e tyre mbeten të afërmit dhe familjarët, ndërsa arsyet shpesh mbeten mister.
Emisioni ”Në Shënjestër” u ndal këtë të martë në rastin e zhdukjes e Nadire Shpatës, nga fshati Bujan i Tropojës, më datë 22 Korrik 2025, ku që nga ajo ditë nuk i dihet fati. Personi i parë i dyshuar është bashkëshorti i saj, Ismet Shpata, tashmë i arrestuar nga policia.
Kontakti i fundit i njohur i Nadires është ai me të bijën ku i uroi një natë të qetë.
Ishte ora 22.00 e mbrëmjes së datës 22 Korrik 2025 dhe që nga ajo bisedë vajza nuk dëgjoi më asgjë për nënën e saj.
Mëngjesi i së nesërmes duhet të ishte sërish për to një urim për një ditë të mbarë në vazhdim. Por çuditërisht nëna e saj, Nadire Shpata, ishte zhdukur papritur gjatë natës nga banesa pa lënë asnjë shënim. I fundit që ishte parë me të duhet të ishte bashkëshorti me të cilin jetonte në një banesë në fshatin Bujan të Tropojës, në malësitë e thella në veri të vendit.
Larg tre fëmijëve, që kishin zgjedhur të jetonin dhe të punonin në zonat urbane, dy prej tyre në Tiranë dhe një jashtë Shqipërisë. Por, si ishte e mundur që një nënë të largohej kaq papritur nga banesa? Pa lajmëruar askënd, apo qoftë edhe për të dhënë një shenjë se ajo kishte vendosur të ikte nga streha familjare dhe të krijonte një jetë të re. Si mund të ndodhte një gjë e tillë? A mund ta bënte këtë gjë 48-vjeçarja, pavarësisht jetës së saj të vështirë bashkëshortore? Një jetë e mbushur me dhunë, me lot dhe me shumë vuajtje që nuk e kishin lënë të gëzonte të qenit grua, nënë dhe bashkëshorte.
Dëshmi tronditëse e një bashkëjetese të vrazhdë që sikur të mos mjaftonte jeta e ashpër në një fshat malor, e mbushur plot me paragjykime maskiliste, i ishte bashkuar edhe dhuna e bashkëshortit që në një farë mënyre ia kishte nxirë pothuajse jetën.
Dhunë që e kishte çuar edhe në dyert e spitalit. Aty ku ishte paraqitur edhe disa ditë para se të zhdukej, me hematoma në trup, të shkaktuara nga bashkëshorti i saj të cilin siç del edhe nëpërmjet dëshmive e kishte denoncuar edhe më herët në polici ku pikërisht për këtë dhunë ai kishte vuajtur edhe një dënim në qeli, por që askush nuk e kishte mbrojtur këtë grua.
Madje jo vetëm nuk e kishin mbrojtur, por e kishin lënë të banonte sërish në të njëjtin kulm me bashkëshortin dhunues, që sot mendohet se ka gisht në zhdukjen dhe pse jo në vrasjen e nënës 48-vjeçare të fëmijëve tashmë të rritur.
Por cilat ishin ditët e fundit të Nadires dhe pse jeta e saj ishte kthyer në një ferr të pambarimtë nga ku nuk po dilte dot? Çfarë bisedoi vajza e saj mbrëmjen para se ajo të zhdukej? Dhe cilat janë provat që të çojnë te dyshimi se bashkëshorti Ismet Shpata, është personi që ka gisht në zhdukjen e saj?
Bashkëshorti që u arrestua vetëm disa ditë pas zhdukjes së të shoqes në akuzën për ‘dhunë në familje’.
Por çfarë kujton vajza nga biseda e fundit me nënën, natën para se ajo të largohej dhe të mos kthehej më në banesë dhe a pa ajo ndonjë shqetësim të dukshëm te nëna e saj që mund ta linte të dyshonte se diçka nuk shkonte në qëndrimin e saj?
Edhe pse ajo, ashtu si dhe fëmijët e tjerë të çiftit ishin në dijeni të problemeve bashkëshortore kishin prindërit e tyre.
“Për herë të fundit, unë kam folur me mamanë time rreth orës 22.00 të mbrëmjes së datës 22 Korrik. Nga biseda që bëmë unë nuk vura re asnjë shqetësim në zërin apo portretin e saj. Gjatë kohës që biseduam, në banesë ishte edhe babai. Ata po hanin darkë”, dëshmon vajza.
Por shqetësimi i një bije për të ëmën, duket se nuk e kishte lënë të qetë vajzën, e cila me t’u çuar në mëngjes kishte tentuar ta telefononte nënën e saj.
Një paranojë që e shoqëronte shpesh kohët e fundit, kjo edhe për shkak të situatës problematike në familje që shtuar edhe largësinë me familjen, e kishte bërë më të ngushtë raportin midis tyre.
Por ndërsa priste që nga krahu tjetër i telefonit të dëgjonte zërin e nënës së saj, që t’i thoshte mirëmëngjes, vajza e saj mori vetëm heshtjen. Pasi askush nuk u përgjigj.
Tentativa të panumërta për t’u lidhur me nënën që rezultuan të kota edhe në vazhdim.
Çka e rritën edhe më shumë ankthin dhe frikën te ajo, se diçka jo e mirë kishte ndodhur me nënën e saj.
“Pasi në mbrëmje mbylla telefonin me nënën, ne u përshëndetëm për t’u dëgjuar sërish të nesërmen. Por ndërsa e telefonova mëngjesin tjetër, atë të datës 23 Korrik, nga telefoni i saj nuk mu përgjigj askush. Pasi ajo nuk m’u përgjigj, unë tentova edhe disa herë ta telefonoja, por sërish ishte e kotë. Që nga ai moment unë nuk pata asnjë informacion se ku ajo ndodhej”, dëshmon ajo.
Vajza e cila jeton në Tiranë bashkë me të vëllain, pasi një motër e kanë jashtë Shqipërisë, e cila mori në telefon menjëherë kushëririn e saj, që është punonjës policie. Që ashtu si ata, në kërkim të njeriut të tyre të afërm u vunë edhe të tjerë familjarë. Të cilët pas kërkimeve të gjata dhe telefonatave të panumërta te njerëz të afërm, me shpresën dhe mendimin se mund të kishte shkuar te ta, të dorëzuar iu drejtuan komisariatit të policisë Tropojë të cilët vetëm dy ditë pas zhdukjes së papritur të 48- vjeçares, Nadire Shpata, dolën ta kërkonin nëpër malësitë e Gjakovës.
Por kërkimet rezultuan pa sukses, pasi gruaja dukej sikur e kishte përpirë nata dhe nga ajo nuk kishte mbetur asnjë gjurmë. Ndërkohë që kontrolle u ushtruan edhe në banesën e tyre në fshatin Bujan, 5 kilometra nga Bajram Curr ku banonte çifti i bashkëshortëve Shpata.
Banesë ku gjatë kontrollit u gjetën dy armë zjarri automatike, të cilat u dërguan për ekspertim në Institutin e Policisë Shkencore. Kjo për të përcaktuar nëse këto armë ishin përdorur ose jo në ndonjë ngjarje kriminale.
Ismet Shpata, me profesion agronom, që fill pas këtij kontrolli në banesë dhe gjetjes së dy armëve të zjarrit, u ndalua nga policia nuk pranoi në asnjë moment të kishte gisht në zhdukjen e së shoqes, Nadires, qëndrim që vazhdon ta mbajë edhe sot, ku pavarësisht se kanë kaluar më shumë se tri muaj nga kjo zhdukje e mistershme asgjë nuk dihet rreth fatit të saj.
Ismet Shpata nuk u fsheh kur u pyet nga policia por pranoi se ai kishte një marrëdhënie aspak të mirë me bashkëshorten, e cila sipas tij e kishte kallëzuar për dhunë dhe për këtë arsye ai kishte vuajtur një dënim me 8 muaj burg.
Pavarësisht këtij momenti sinqeriteti, grupi hetues dyshonte se ai kishte gisht në zhdukjen e bashkëshortes, celulari i së cilës u gjet pikërisht në makinën e tij në sediljen e parë, një zbulim pak i pazakontë për një krim dhe për një bashkëshort që mendohet që ka vrarë bashkëshorten, ashtu siç policia ka dyshimet.
Si është e mundur që provën më të fortë kompromentuese, celularin e gruas së humbur, vrasësi në këtë rast ende i dyshuar, ta harrojë pikërisht në makinën e tij?
Por ato çfarë ngrenë dhe më shumë dyshime se Ismet Shpata mund të ketë gisht në zhdukjen e gruas së tij janë disa momente tejet kyçe të ngjarjes.
Policia e cila me të mbërritur në banesën e çiftit pas denoncimit për zhdukjen e gruas, gjeti aty tavolinën e ngrënies të palëvizur. Dhe mbi të dy pjata, çka përputhet me dëshminë e vajzës dhe të djalit, që ishin të fundit që folën më nënën e tyre. Zhdukja e Nadire Shpatës që mendohet se ka ndodhur në harkun kohor të orës 23.00 të mbrëmjes së datës 22 korrik deri në orën 4.00 të mëngjesit të datës 23 korrik, orë kur Ismet Shpata deklaron se u nis drejt Durrësit për të shkuar te e motra e tij.
Por ajo që duket se e intrigon edhe njëherë ngjarjen është dëshmia e një pjesëtari të familjes së Ismet Shpatës, i cili tha se kur mbërriti në shtëpinë e tyre ai ishte tërësisht i lagur nga rrobat, ndonëse koha jashtë ishte e nxehtë.
Gjë për të cilën Ismet Shpata nuk u dha asgjë shpjegim. Nisur nga kjo dëshmi, Prokuroria e Kukësit urdhëroi kontrolle në disa rezervuare në zonën e Durrësit, si dhe në vende të tjera, me dyshimin se Ismet Shpata mund ta ketë vrarë dhe hedhur gruan në zonën e Durrësit për të fshehur më pas aty trupin e saj.
Por cfarë kishte ndodhur më herët rreth çiftit?
Emisioni ‘Në shënjestër’ ka siguruar atë që është vendimi i dënimit të Ismet Shpatës për “dhunë në familje”, dhënë nga Gjykata e Kukësit në vitin 2023, ku ai rezulton se ishte liruar vetëm pak muaj përpara se bashkëshortja e tij të zhdukej në mënyrë të mistershme.
Dosja Hetimore: Më datë 22 janar 2023 rreth orës 20:20 shtetasi Ismet Shpata është paraqitur në Komisariatin e Policisë Tropojë, ku ka paraqitur kallëzim penal për ‘dhunë në familje’ ndaj bashkëshortes së tij, Nadire Shpata. Sipas kallëzuesit prej dhjetë ditësh bashkëshortja nuk e lejon të hyjë në banesë dhe e godet sa herë shkon aty.
Për të qetësuar situatën ka kërkuar banesë me qira në qytet, si dhe ka njoftuar prindërit e saj dhe pasi këta të fundit nuk morën asnjë masë vendosi të largohet nga banesa pasi i thonë se ka problem të shëndetit mendor. Ai është vizituar te mjeku psikiatër në Kukës i cili i ka dhënë mjekim dhe i ka thënë që pas dy javësh të shkojë tek bashkëshortja.
Pra siç shikohet në këtë dëshmi, fillimisht Ismet Shpata ka pretenduar se nuk ka qenë ai dhunuesi në familje, por bashkëshortja e tij, që nuk e lejonte të hynte në banesë.
Por pasi është rimarrë në pyetje Ismet SHpata është tërhequr nga dëshmia e tij.
Ai ka deklaruar se ka qenë nën efektet e alkoolit dhe ka patur debate me gruan, por jo konflikt fizik. Po kështu ai ka pohuar se nuk është e vërtetë që është goditur nga bashkëshortja.
Ndërkohë që Nadire Shpata ka deklaruar se Ismet Shpata është bashkëshorti i saj dhe se kanë 24 vite të martuar. Martesë nga e cila kanë ardhur në jetë 3 fëmijë.
Nadirja deklaroi po kështu se Ismeti gjatë kësaj kohe konsumonte alkool dhe dhjetë vite më parë kishte shfaqur edhe probleme të shëndetit mendor. Për këtë shkak ata kishin bërë disa vizita në spital në Shkodër dhe në Tiranë.
“Ai nuk e merr rregullisht mjekimin. Por problemi është se ai konsumon dhe alkool dhe për këtë arsye sillet jo normalisht, duke shkaktuar konflikte në familje si dhunë psikologjike dhe kanosje.
Më datë 21 janar 2023 ai ka ardhur në banesë rreth orës 17:00 dhe ka filluar të shajë dhe të ofendojë duke kërcënuar me fjalë, dhe në një moment është afruar pranë meje. Por unë e largova nga vetja, nuk e godita, vetëm e shtyva dhe në momentin kur ai ka iku nga shtëpia, nuk kisha shenja në fytyrë”, dëshmonte Nadire Shpata.
Nadire Shpata i qëndroi të njëjtës dëshmi edhe kur u ripyet nga oficerët e policisë gjyqësore. Dëshmi e cila u mbështet edhe nga djali i çiftit. Ai iu tha hetuesve se babai kishte 4 ditë që nuk ishte në terezi. I gjenin thika poshtë krevatit dhe nganjëherë i mbante me vete dhe ata ishin të frikësuar.
“Babai më tha t’i jepja lekë të largohej jashtë shtetit, se do vriste nënën”, tha ai.
Ai kujton momentin kur bashkë me nënën i kërkuan të shkonte në spital.
“Në këtë moment babai i tha diçka në vesh mamit. Kjo e fundit i tha ‘hiqmu qafe’.
Dua të them se nuk e kam parë të dëmtuar babain dhe kur është larguar nga fytyra nuk ka patur shenja në fytyrë”, tha ai.
Nga verifikimi i të dhënave rezultoi se ishte djali që kishte telefonuar policinë duke u bërë me dije se kishte konflikt me babain e tij Ismet Shpata dhe se ai i kishte nxjerrë jashtë nga banesa atë dhe nënën e tij dhe nuk i lejonte të hynin brenda.
Katër oficerët e policisë thanë se rreth orës 20:50 u njoftuan nga salla e komandimit lidhur me një rast dhune në një familje në fshatin Bujan të cilët pasi shkuan në vendngjarje, konstatuan se Ismet Shpata mbante në dorë një sëpatë.
Ndërsa djali dhe bashkëshortja e tij, qëndronin në një automjet jashtë banesës.
“Kur shkuam në adresën e dhënë gjetëm shtetasin O. Sh dhe nënën e tij Nadire Shpata në oborr të ulur në një automjet. Ndërsa dera e shtëpisë ishte e mbyllur nga brenda.
Nënën e bir na thanë se Ismeti i kishte nxjerrë nga shtëpia. Gjatë kohës që po flisnim me ta konstatuam se në katin e dytë të banesës ndodhej Ismet Shpata.
I bëmë thirrje të zbriste poshtë dhe të hapte derën kryesore për të komunikuar me të.
Pas disa thirrjeve drejt tij, ai nuk e hapi derën dhe na tha: ‘Mos u afroni për të më marrë në banesën time’. Ismeti nuk pranoi të hapte derën dhe në dorë dukej që kishte një sëpatë”, dëshmuan efektivët.
Punonjësit e policisë thanë më tej se ata mundën të futeshin në banesë përmes një dritareje duke bërë kështu edhe neutralizimin e bashkëshortit të dhunshëm.
“Tentuam të hyjmë brenda banesës duke u kapur tek një dritare, që të çonte tek ballkoni i katit të dytë. Tentuam të hyjmë brenda, por dera e ballkonit ishte e mbyllur. Ndërsa Ismeti ndodhej në dritaren e po kësaj dere dhe mbante sëpatë në dorë. Në një moment shpërqëndrimi të tij ne shpërthyem derën dhe e vumë në pranga, duke e shoqëruar për në komisariatin e policisë Tropojë”, thanë ata.
Por Ismet Shpata u mbrojt përpara oficerëve të policisë, duke thënë se sëpatën nuk po e mbante në dorë për të kërcënuar familjen, por për të çarë dru. Ndërsa ai bëri me faj gruan dhe djalin, se kishin dashur ta çonin në spital. Dhe kjo kishte sjellë nervozizmin e tij, duke i nxjerrë jashtë nga banesa.
“Ismet Shpata ka deklaruar se gjatë ditës ka punuar dhe më pas ka dalë në qytetin e Bajram Currit. Kur ka mbaruar është kthyer në shtëpi, por ka qenë duke u errësuar ai ka parë bashkëshorten duke kthyer lopët në shtëpi dhe i ka thënë: ‘A nuk kishte kohë më herët’. Më pas ai thotë se ka hyrë në shtëpi ku ka gjetur djalin. Në këtë moment sipas tij erdhi dhe gruaja e cila i tha djalit: ’Hajde ta marrin ta çojmë në spital në Shkodër’, dhe se të dy, po sipas tij e kishin goditur. ‘Ata dolën nga shtëpia dhe unë mbylla derën me çelës. Për shkak se kisha ftohtë mora sëpatën për të çarë dru në ballkon. Kur erdhi policia isha më sëpatë në dorë, për shkak se po prisja dru në ballkon, por derën nuk e hapa pasi dyshoja se policët ishin të korruptuar, dhe ju thashë që po të më kishin marrë në telefon do kisha shkuar vetë.’ , thuhet në dosjen hetimore.
Por Ismet Shpata, siç shikohet edhe më tej, sërish nuk i qëndroi kësaj dëshmie, duke dhënë sërish një tjetër version. Pas lirimit nga burgu ai u rikthye sërish në banesë.
Deri ditën kur bashkëshortja e tij humbi pa gjurmë.
Ismet Shpata teksa u pyet si personi i parë i dyshuar, pohoi edhe njëherë marrëdhënien e ftohtë që kishte me gruan e tij dhe që dukej qartë që se kishte falur gruan, për episodin e parë të dhunës nga e cila vuajti 8 muaj burg.
Qëndrimi në burg, që do duhet të ishte rehabilitues, jo vetëm nuk e kishte paqtuar me të shoqen, por kishte vazhduar ta dhunonte aq sa e kishte bërë të përfundonte në spital.
Ashtu siç kishte ndodhur vetëm disa ditë para se ajo të zhdukej pa nam dhe nishan.
Nadire Shpata që ishte paraqitur me shenja dhune në spitalin e Bajram Currit, por mjekët thanë se nuk e njoftuan policinë, pasi nuk ngriti pretendime për dhunë.
Ndoshta kjo për shkak të frikës nga bashkëshorti, por askush nuk mund ta thotë me siguri. Ajo që dihet është se Nadire Shpata u kthye në banesë sikur të mos kishte ndodhur asgjë.
“Katër ditë përpara se Nadire Shpata të zhdukej, ajo ka shkuar për vizitë në spitalin e Tropojës. Ku gjatë vizitës mjekët kanë konstatuar në trupin e saj shenja të dhunës. Pas këtij momenti, gruaja është kthyer në banesë dhe mbrëmjen e 22 korrikut dhe orëve të para të datës 23 korrik ajo rezulton të jetë zhdukur pa gjurmë nga banesa.
Por pavarësisht alibisë së bashkëshortit, policia ka dyshime të forta se ai është njeriu që mund të ketë kryer vrasjen e së shoqes. Për këtë arsye kërkimet u ndalën edhe në krehjen e zonës ku ndodhet banesa e çiftit Shpata ku me ndihmën e palombarëve u bë edhe kqyrja e një rrjedhe ujore në fshatin Bujan.
“Kur policia mbërriti në banesën e çiftit Shpata, aty gjeti të shtruar në tavolinë dy pjata.
Pasi u ushtrua kontroll në banesë dhe u gjetën dhe dy armë zjarri automatike, u bënë kërkime në fshat edhe me palombar, pranë banesës së çiftit, ku ndodhet një rrjedhë uji, por policia nuk gjeti asgjë të dyshimtë”, thuhet në dosje.
Kërkime të cilat u zhvendosën edhe në mal, por edhe aty rezultuan të kota. Por ajo që habiti grupin hetues ishte shpjegimi që bashkëshorti, në këtë rast i dyshuari kryesor për zhdukjen, dha për largimin e së shoqes nga banesa.
Ai u tha oficereve të policisë, se gruaja ishte larguar me të dashurin e saj dhe se kjo kishte qenë sipas tij edhe arsyeja e konflikteve të tyre të vazhdueshme, një version që iu duk aspak i besueshëm policisë.
Pavarësisht qëndrimit stoik të bashkëshortit se ai nuk ka lidhje me humbjen e së shoqes, hetuesit janë duke kërkuar prova të forta që provojnë fajësinë e tij.
Për këtë arsye Gjykata e Kukësit ka vendosur të mbajë në paraburgim Ismet Shpatën.
Në bindjen edhe të të afërmve të 48 vjeçares Nadire Shpata, se ndaj saj është ushtruar dhunë e vazhdueshme nga ana e bashkëshortit. Dhunë e cila më tej mund të ketë agravuar deri në vrasjen e saj.
Dyshime që kanë dhe hetuesit të cilët janë duke mbledhur prova që mund të vërtetojnë nëse Ismet Shpata mund të ketë vrarë bashkëshorten. Por pavarësisht se rastet e zhdukjes së personave të ndryshëm paraqesin vështirësi në zbardhjen e tyre, ajo që nuk dihet ende është nëse prokuroria ka kërkuar zbardhjen e tabulateve telefonikë të gruas, në këtë rast 48 vjeçares Nadire Shpata. Dhe bashkëshortit të saj Ismet Shpata, si personi i parë i dyshuar lidhur mbi një krim të mundshëm.
Po kështu nëse është bërë analiza e antenave telefonike në zonë për të verifikuar lëvizjet e fundit që kanë kryer si personi i zhdukur dhe autori i dyshuar që mund të çojnë edhe më pranë vendit të fundit ku janë loguar. Por për të parë edhe lëvizjet e makinës së Ismet Shpatës aty ku u gjet celulari i bashkëshortes së tij. Nëse dy telefonët përputhen në logimin e tyre dhe cila është rruga që kanë ndjekur pasi kanë dalë nga banesa. Po kështu nëse në pjatat e gjetura në banesë ka elementë biologjikë apo kimikë, që mund të kenë çuar fillimisht në helmimin e gruas dhe më pas vrasjen e saj.


