Personat në foto janë Gilmando Dani dhe Muçi Shaljani (Sheqeri), të cilët ishin shënjestër e atentati mafioz pasditen e sotme (11 nëntor) pranë mbikalimit të Rinasit, ku njëri mbeti viktimë dhe tjetri u plagos rëndë.
Sipas informacioneve, autorët kanë pritur automjetin tip “Benz” me të cilin udhëtonin Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe Muçi Shaljani Sheqeri, punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Makina me të cilin ata lëviznin dhe makina e autorëve, kanë lëvizur për disa metra paralelisht me njëra-tjetrën, dhe në atë moment, nga automjeti i autorëve është hapur zjarr me breshëri automatiku në drejtim të targetit.
Mjeti i viktimave ka ecur për pak metra pas të shtënave, derisa është ndalur plotësisht.
Në atë moment, sipas dëshmive dhe kamerave të sigurisë, një nga autorët, i veshur me kapele dhe i maskuar, ka dalë nga makina dhe është afruar drejt automjetit të Danit, duke qëlluar disa herë me pistoletë për t’u siguruar që e kishte eliminuar shënjestrën.
Shaljari ka një plagë plumbi në kokë dhe gjendja e tij është kritike, teksa mjekët po bëjnë përpjekje për ta mbajtur në jetë.
Po hetohet gjithashtu nëse autorët kanë pasur informacione të detajuara për itinerarin e shënjestrave dhe kush ua ka ‘servirur’ ato.
Po kush është Gilmando Dani?
Dani ka qenë një nga emrat më të përfolur të botës së krimit, që vepronte për llogari të Emiliano Shullazit.
“Disa vite më parë është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda si pjesë e një grupi që vinte gjoba biznesmenëve në Tiranë, grup i cili drejtohej nga Emiliano Shullazi”, tha gazetarja Klodiana Lala.
Gilmando Dani la qelinë e burgut rreth një vit e gjysmë më parë, pasi shleu të gjithë dënimin në lidhje me pjesëmarrjen në këtë grup të strukturuar kriminal.
Po ashtu, gazetarja Lala tha se “Që nga koha kur Emiljano Shullazi ndodhet në burg, mësohet se Gilmando Dani kishte marrë drejtimin e grupit kriminal”.
Ndaj Danit është bërë atentat dhe dy herë më parë, por mbeti i plagosur. Ngjarjet ndodhën në vitet 2011 dhe në 2015.
Gilmando Dani u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të Shullazit për akuzat e gjobëvënies dhe krijim të grupit të strukturuar kriminal. Ai u lirua ne 6 tetor 2024.


