Është gjetur i djegur në një përrua pranë aksit Fushë-Krujë – Krujë, midis fshatrave Halil dhe Zallë, mjeti të cilin përdorët autorët e atentatit mafioz që u regjistrua pasditen e sotme zonës së Rinasit, ku mbeti viktimë Gilmando Dani, ndërsa është plagosur rëndë Muçi Shaljani Sheqeri, i cili mësohet se është punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP).
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se zona ku u gjet makina është tepër e vështirë për t’u arritur me automjet, pasi ndodhet në një shteg këmbësorësh dhe kullotash, e aksesueshme vetëm në këmbë.
Hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për të njëjtin vend që është përdorur më herët nga autorë të tjerë për të qëlluar në drejtim të hotelit të Edmond Vogës.
Është shqetësues fakti se si autorët kanë mundur të lëvizin pa u pikasur nga Rinas drejt Fushë-Krujës, duke kaluar disa postblloqe policie dhe rajonin e policisë Fushë-Krujë, që ndodhet vetëm pak minuta larg vendit ku u gjet automjeti i djegur.
Forca të shumta policie dhe hetues të Drejtorisë së Policisë së Tiranës ndodhen aktualisht në vendngjarje.
Po ashtu, po kryhen kontrolle në të gjithë perimetrin, ndërsa janë ngritur postblloqe në akset hyrëse dhe dalëse nga Fushë-Kruja.


