Një aksident ka ndodhur mesditën e sotme ne aksin rrugor Fier-Patos, ku janë përplasur dy automjete, duke shkaktuar tre të lënduar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 15:10, kur një automjet i policisë është përplasur me një mjet tip “Benz” teksa udhëtonin në kahe të kundërta. Si pasojë e përplasjes dy efektive të Komisariatit të Fierit janë lënduar dhe dërguar në spital, ku po marrin ndihmë mjekësore së bashku me drejtuesen femër të mjetit tjetër.
“Rreth orës 14:40, në aksin rrugor Fier-Patos, shtetasja M. H. duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe për pasojë ka goditur automjetin e policisë rrugore, me drejtues punonjësin e policisë F. Sh. Për pasojë është dëmtuar shtetasja M. H., dhe dy punonjësit e policisë, të cilët ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftimin zyrtar të policisë vendore.
Nuk dihen ende rrethanat e aksidentit, por paraprakisht nga grupi hetimor për rastin thuhet se reshjet e dendura të shiut që po vijojnë prej mbrëmjes së djeshme, kanë vështirësuar shikueshmërinë në rrugë.
Megjithatë hetimi për shkaqet e aksidentit po kryhet dhe pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të aksidentit.


