Dosja penale ndaj Domart Konjarit, një prej personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, do të shqyrtohet sërish në Apelin e Posaçëm, pasi Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e mëparshëm të shkallës së dytë.
Vendimi i ri vjen pas seancës së zhvilluar një ditë më parë, ku Gjykata e Lartë urdhëroi rigjykimin e çështjes me një trupë tjetër gjykuese. Më herët, Apeli i Posaçëm e kishte dënuar Konjarin në mungesë me 15 vite burgim.
Më 7 tetor 2021, Konjari ishte shpallur fajtor me vendim të formës së prerë për disa vepra penale të rënda, ndër të cilat:
“Krijim, organizim dhe drejtim të organizatës kriminale”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave”, “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Sipas hetimeve të SPAK, Domart Konjari dyshohet se ka qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të kokainës dhe heroinës nga Amerika Latine drejt Europës, me destinacion kryesor Francën. Ai akuzohet gjithashtu si organizatori kryesor i ekzekutimit të Devi Kasmit.


