Ramadan Ramadani
Ka pas gjithnjë, por tash pas këtij rezultati spektakolar të zgjedhjeve lokale në Maqedoni u shfaqën edhe më shumë defetistë shqiptar. Me defetistë i emërtoj krejt ata lluzera, propagandistë, konjukturalistë dhe oportunistë në pjesën e opinionit shqiptar të vendit ku shfaqen e dalin kudo që munden; edhe nga dy tre herë në ditë, duke bë zhurmë dhe propagandë koti dhe duke tentuar që humbjet e klaneve, sekteve, partive dhe të vet tyre ti paraqesin si gjithshqiptare! Po, këto vet njëmend kanë humbur dhe janë mundur, por kjo ishte një fitore spektakolare politike e shqiptarëve të Maqedonisë.
Shqiptarët, qetësisht, pa asnjë shkarje shovene fituan drejtimin e kryetarëve shqiptar në plus dy komuna dhe ndëshkuan shovenë anti-shqiptarë në shumë tjera komuna. Shqiptarët e ndryshuan përfaqësimin politik në rrafshin republikan dhe ata më nuk i përfaqëson asnjë xhahil nga shkolla politike hidhja-futja. Me këtë rezultat këtë ndryshim e evidentuan më edhe bashkëqytetarët tjerë në vend por edhe krejt përfaqësuesit ndërkombëtarë. E edhe, çka e kanë shumë me rëndësi shqiptarët e Maqedonisë, edhe bashkëkombasit shqiptar në trojet tjera shqiptare.
Dhe këtë ndryshim e bënë pa asnjë viktimë kundër një organizimi parapolitik si BDI që mbahet mend se si është sjellur në vitin 2006 kur për herë të parë nuk ishte në pushtet dhe me sa hallakamë u kthye pas dy vjetëve në vitin 2008. Shqiptarët pra pa asnjë therrë e ndërruan dikë që edhe në zgjedhjet e brendshme të veta për kryetarë dege kishte vrasje dhe viktima në njerëz.
Pa shumë zhurmë dhe pa e prishë gojën ua hoqën tabelën e përfaqësimit politik shqiptar disa aq pisave, të cilët shpesh e edhe tash në fushatë, shumë shaheshin. E për më shumë shanin edhe vet popullin e vet të cilin pretendonin se e përfaqësojnë.
Dhe me aq pak vota dhe popullatë rezidente të mbetur në këtë shtet shqiptarët e rrëzuan një strukturë e cila moti me shifra të migrimit dhe dëbimit të shqiptarëve nga këtu ia ka kaluar edhe Rankoviçit dhe Jugosllavisë së Titos.
Kjo ishte një fitore e shumëfishtë shqiptare, por ndoshta sepse ishte aq e qetë dhe elegante mbeti e pakuptuar nga shumë taze shqiptarë në opinion. Ata që se kanë kuptuar janë të arsyetuar, por këta konjukturalistët dhe defetistët e dinë shumë mirë edhe rezultatin edhe e shohin tabelën. Nuk ka fund analiza, mes tjerash edhe psikologjike, e krejt frikave dhe interesave të këtyre zhurmaxhinjve defetistë dhe unë nuk do e përthekoj këtu të tërën. Por vetëm disa fjalë se për çka e kanë dhe pse provokohen vetëm nëse bëhet mirë për shqiptarët?! Disa e kanë nga interesi sepse kanë zënë vende dhe marrin rroga të pamerituara mu nga këto konjuktura e tani me ndërrimin e tyre u është prish dynjaja dhe nuk dinë se çka do ndodhë?! Aq ilegale, kriminale dhe pa meritë i kanë ato vende sa që u është bërë paranojë dhe ditën e hënë në vehte mund të kenë kënduar: u bë ora katër, VLENI nuk erdh! Pra këto thellë në vete që ditën e parë, pa mbaruar orari i punës, kanë pritur tu hiqen ato favore të mara pa asnjë kriter. Ku me ditë, ndoshta të kishte qenë e kundërta ata do ua kishin bërë këtë të tjerve andaj e kanë pas si pritje?!
Nga kjo e kanë disa që tani duket se bëjnë fitne për atë se kush do jet lideri i VLEN. Nuk e kanë për përçarje dhe nxitje, por e kanë të dinë se kush do jet ai tek i cili do shkojnë të vardisen për të mbet diçka nga krejt ato të pamerituarat që i kanë ngrënë me vite! Të këtillët nuk janë të arsyetuar dhe do mbesin të paditur për shumëçka e edhe për faktin sepse mundet që sikur ka ardh fitorja, për shqiptarët të ketë ardhur edhe drejtësia dhe meritokracia.
Ndërsa defetistave shqiptarë të këtuhit në rrafshin mbarëshqiptar duhej më së paku me ju ardh turp prej performansit dhe paraqitjes të korit të grave “Teuta” nga Tetova, të cilën e pa krejt shqiptaria. Se si nuk e kapin, vërejnë dhe shohin ekskluzivitetin, esktravagancën, elegancën, kulturën dhe qytetarinë e shqiptarëve të Maqedonisë që mes tjerash e dëshmojnë, po edhe me votë! Po, edhe këtë herë, edhe në këto zgjedhje lokale. Gjithnjë kemi qenë unik, zonja e zotërinj, toskë e gegë, nga Manastiri, Resnja, Prilepi, Ohër, Strugë, Kërçovë, Dibër, Kumanovë, Gostivar, Tetovë e Shkup, nipa dhe mbesa të Dervish Carrës dhe tjerëve që e kan ba shqipërinë edhe atëhere moti, në shekujt kur ajo pat mbet vetëm emër dhe mbetej vetëm duke luftu me zemër!


