Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 32-vjeçarin Bertil Alliaj, i akuzuar për vrasjen e Dalan Alliajt disa ditë më parë në fshatin Gjorm.
Gjatë seancës gjyqësore, Alliaj është shfaqur i heshtur dhe ka deklaruar para trupit gjykues: “Nuk jam në gjendje të flas… jam dakord me ato që tha avokati.”
Kujtojmë që Bertil Aliaj prej 10 vitesh ishte në kërkim si pjesëmarrës në “masakrën e Çoles” ndodhur në Vlorë dhe ka marrë një dënim prej 35 vitesh në mungesë për ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë që prej ngjarjes së ndodhur në vitin 2015, Bertil Aliaj ka qenë i fshehur dhe, sipas policisë, ai lëvizte me pasaportë kosovare.
Ngjarja
Sipas burimeve zyrtare të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00 të mbrëmjes së 1 nentorit, në rrugën përpara banesës së autorit të dyshuar, pas një konflikti për motive të dobëta.
Gjatë debatit, 32-vjeçari Bertil Alliaj, kushëri i viktimës, dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të rënda që i morën jetën në vend.


