22:28 | 28 Tetor 2025
ChatGPT, i krijuar si aplikacion praktik dhe i shpejtë për marrje informacioni, është kthyer në një shqetësim për shoqërinë pasi po abuzohet nga një grupmoshë e caktuar, duke krijuar edhe varësi.
Sipas të dhënave të fundit të OpenAI, rreth 0.07% e përdoruesve aktivë në një javë shfaqin shenja të problemeve psikologjike. Me më shumë se 800 milionë përdorues aktivë çdo javë, kjo përqindje përkthehet në një numër të konsiderueshëm personash.
Kompania thotë se ka ngritur një rrjet ndërkombëtar me mbi 170 ekspertë të shëndetit mendor, përfshirë psikiatër, psikologë dhe mjekë, për të këshilluar mbi mënyrën se si inteligjenca artificiale duhet të përgjigjet në raste të ndjeshme.
Ajo ka zhvilluar përgjigje të posaçme që nxisin përdoruesit të kërkojnë ndihmë kur shfaqen shenja të shqetësimeve mendore ose të vetëdëmtimit.
OpenAI vlerëson gjithashtu se 0.15% e përdoruesve bëjnë biseda që përfshijnë shenja të planifikimit vetëvrasës, duke e shtuar nevojën për reagime të sigurta dhe empatike.
Kompania thotë se versionet e fundit të ChatGPT janë trajnuar për të reaguar me kujdes ndaj kërkesave të përdoruesve.
Megjithatë, kritikat janë shtuar, sidomos pas disa rasteve tragjike që kanë përfshirë përdorues të ChatGPT. Një çift nga Kalifornia ka paditur OpenAI, duke pretenduar se platforma e nxiti djalin e tyre 16-vjeçar të vetëvritej në prill të këtij viti.
Profesorë nga Universiteti i Kalifornisë kanë bërë me dije se AI mund të krijojë iluzionin e realitetit, gjë që për disa persona në krizë mund të jetë e rrezikshme./Klan News


