Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në lagjen “Kala” në qytetin e Beratit, ku një vizitor nga Tirana ka humbur jetën pasi është goditur me thikë pas një konflikti me një 63-vjeçar që ofronte shërbime me kalë për turistët.
Sipas burimeve, viktima është Keli Hoxha, 42 vjeç, ndërsa autori i dyshuar i ngjarjes është Kristo Mema (alias Kostandin Hoxha), 63 vjeç, banor i Beratit.
Dyshohet se mes tyre ka nisur një debat për fotot dhe xhiron me kalë, që më pas ka degjeneruar në konflikt fizik. Në kulmin e sherrit, autori ka nxjerrë thikën dhe e ka goditur disa herë 42-vjeçarin.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i krimit, ndërsa viktima është dërguar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Beratit, ku ka ndërruar jetë pak minuta pas mbërritjes, për shkak të plagëve të marra.
Në vendngjarje ndodhen drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, prokurori i çështjes dhe forca të shumta policie.
Po kryhet kqyrja e perimetrit të Kalasë dhe janë ngritur postoblloqe në hyrje të qytetit dhe pika strategjike për kapjen e autorit në arrati.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar të gjitha rrethanat e ngjarjes dhe për gjetjen sa më shpejt të autorit të dyshuar.
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, shtetasi K. M., alias K. H., 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, Berat, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta ka goditur me mjet prerës shtetasin K. H., 42 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe po kontrollojnë zonën për kapjen e tij.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.


