Gjykata Kushtetuese ka njoftuar zhvillimin e seancës plenare publike për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, në datën 31 tetor 2025, ku do të jetë i pranishëm edhe vetë Erion Veliaj.
Sipas informacionit zyrtar të bërë publik nga institucioni, njoftimi është dërguar më 9 tetor 2025.
Gjykata ka njoftuar gjithashtu Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve më 13 tetor 2025, duke kërkuar marrjen e masave për shoqërimin e Veliajt në seancë.
Më pas, në 20 tetor 2025, pas shprehjes së vullnetit të kërkuesit për pjesëmarrje, Gjykata ka njoftuar edhe Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në lidhje me procedurat përkatëse.
Njoftimi:
Në përgjigje të interesit të shprehur nga mediat dhe në kuadër të transparencës dhe shpërndarjes së informacionit publik, më poshtë gjeni informacionin e dhënë nga ana e Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.
Faleminderit për bashkëpunimin tuaj!


