22:37 | 27 Tetor 2025
Imagjinoni mëngjesin pas ditës kur interneti është fikur. Fillimisht mund të mendoni se do të ndiheshit të lirë, por shumë shpejt do të kuptonit se nuk dini ç’të bëni.
Mund të blini të gjitha ushqimet vetëm me para dore. Mund të telefononi në punë nga telefoni fiks, nëse ende është funksional. Pas kësaj, ndoshta do të niseni për të shkuar diku, me kusht që ende mbani mend si të orientoheni pa GPS.
Një defekt i vogël në një qendër të dhënash në Virxhinia të Shteteve të Bashkuara këtë javë rikujtoi një të vërtetë të pakëndshme, e pamundura nuk është aq e pamundur sa mendojmë. Interneti, që prej dekadash është bërë shtylla kurrizore e jetës moderne, në fakt mbështetet mbi një rrjet programesh të vjetra dhe infrastrukture fizike që shpesh është në kufijtë e mbingarkesës. Kjo ka bërë që shumë ekspertë të pyesin veten, çfarë do të duhej që interneti të fikej plotësisht?
Sipas një analize të The Guardian, mjafton një kombinim i fatit të keq dhe disa sulmeve të qëlluara. Moti ekstrem mund të shkatërrojë disa qendra të rëndësishme të të dhënave. Një rresht i vetëm kodi i shkruar nga inteligjenca artificiale mund të aktivizojë një defekt zinxhir në sistemet e Amazon-it, Google-it apo Microsoft-it. Apo ndoshta një grup i armatosur – ose një shërbim inteligjent – mund të presë disa kabllo nënujore.
Këto do të ishin skenarë të frikshëm, por jo fatalë. Katastrofa e vërtetë, ajo që ekspertët e internetit e quajnë “E madhja”, do të vinte nga një gabim i papritur, që përhapet si ortek në protokollet e vjetra të rrjetit, ato që rregullojnë mënyrën si një pajisje gjen tjetrën në internet.
Kur një tornado mund të ndalë Google
Një “e madhe” e tillë mund të niste, për shembull, kur një tornado kalon mbi qytetin Council Bluffs në Iowa, duke shkatërruar një kompleks qendrash të dhënash të Google.
Kjo zonë, e quajtur us-central1, është thelbësore për shërbimet e Google Cloud, YouTube dhe Gmail. Në vitin 2019, një ndërprerje e shkurtër aty solli kolaps të përkohshëm të këtyre shërbimeve në SHBA dhe Evropë.
Në pak minuta, videot e gatimit në YouTube ndalen, email-et nuk hapen, punonjësit fillojnë të komunikojnë ballë për ballë, ndërsa zyrtarët e qeverisë amerikane konstatojnë ngadalësime në shërbime publike. Dhe, megjithatë, sipas ekspertëve, interneti në kuptimin teknik do të ishte ende “gjallë”.
“Nëse kemi dy pajisje të lidhura me një ruter mes tyre, interneti ekziston”, thotë Michał “Rysiek” Woźniak, specialist në sistemin DNS, mekanizmi që lejon që një adresë në internet të gjejë një tjetër.
Por siç shpjegon profesori i shkencave kompjuterike në University College London, Steven Murdoch, interneti është përqendruar gjithnjë e më shumë në pak duar.
“Ekonomia e shërbimeve dixhitale funksionon kështu, është më lirë dhe më e leverdishme të operosh gjithçka në të njëjtin vend”, tha ai.
Kur automatizimi kthehet në armik
Imagjinoni tani që një valë të nxehti në Virxhinia paralizon qendrat e Amazon Web Services (AWS), një zonë që njihet si “datacenter alley”, zemra e shumë prej shërbimeve cloud në botë. Ndërkohë, një sulm kibernetik godet një qendër të dhënash në Frankfurt ose Londër.
Rrjetet përpiqen të devijojnë trafikun në qendra dytësore, por si në një bllokim trafiku në Los Angeles, gjithçka ngadalësohet deri në kolaps.
Në këtë rrëmujë, një ‘bug’ i fshehur në sistemet e automatizuara të AWS-së, i shkruar muaj më parë nga inteligjenca artificiale, pas shkurtimit të qindra punonjësve, aktivizohet papritur. Infrastruktura fillon të bjerë.
Shërbimet si Signal, Slack, Netflix dhe Lloyd’s Bank pushojnë së funksionuari. Fshesat robotike Roomba heshtin, dyshekët “smart” çmenden dhe bravët inteligjente ngecin.
Nëse Amazon dhe Google ndalen, interneti që njohim nuk do të ekzistojë më. Të tre gjigantët, Amazon, Microsoft dhe Google, kontrollojnë mbi 60% të tregut global të shërbimeve cloud, dhe është pothuajse e pamundur të llogaritet sa biznese e aplikacione varen prej tyre.
“Në nivelin më bazik, interneti ende punon”, thotë eksperti i infrastrukturës Doug Madory. “Por praktikisht, asgjë që jemi mësuar të përdorim nuk do të funksiononte, sepse gjithçka është e mbështetur mbi këto qendra gjigante.”
Mitologjia e kabllove nënujore
Shumë mendojnë se rreziku më i madh është dëmtimi i kabllove nënujore. Por sipas Madory-t, kjo është më shumë një temë për “think-tank”-et e Uashingtonit sesa një rrezik real.
“Kabllot nënujore prishen vazhdimisht”, shpjegon ai. “OKB-ja vlerëson se ndodhin 150 deri në 200 defekte çdo vit. Do të duhej të dëmtoheshin shumë prej tyre njëherësh që komunikimi të ndalej vërtet.”
Sipas tij, skenari i vetëm që mund ta paralizojë internetin global do të ishte një sulm ndaj sistemit DNS, “librit të adresave” të internetit. Kompani si Verisign, që menaxhon çdo faqe që përfundon me “.com” apo “.net”, janë jetike për funksionimin e rrjetit.
“Nëse do të ndodhte diçka me Verisign, .com do të zhdukej nga rrjeti. Ata kanë çdo arsye financiare për ta parandaluar këtë”, shton Madory.
Nëse një ngjarje e tillë ndodhte, bankat, spitalet, shërbimet financiare dhe platformat e komunikimit do të shuheshin njëherësh. Do të mbeteshin vetëm disa struktura të izoluara qeveritare dhe disa blogje të pavarura të vetë-strehuara, apo rrjete të decentralizuara si Mastodon.
A do mund ta rindiznim internetin?
Profesor Murdoch përmend një rrezik tjetër të rrallë, një defekt në BIND, programi që mbështet sistemin DNS.
Në vitin 1998, një grup hakerësh nga Massachusetts paralajmëroi Kongresin amerikan se një dobësi në protokollin Border Gateway Protocol (BGP), ai që drejton trafikun në gjithë internetin, mund “ta rrëzonte internetin për 30 minuta”.
Madory, megjithatë, qetëson duke sqaruar se “Protokolli është shumë rezistent. Po të mos ishte, do të kishte rënë prej kohësh. Por, po, nëse ndonjëherë interneti do të fikej krejtësisht, askush nuk e di me siguri se si mund ta ndiznim sërish.”
Në Mbretërinë e Bashkuar, dikur ekzistonte madje një plan rezervë, jo virtual. Në rast se interneti ndalet, ekspertët që e njohin në detaje do të takoheshin në një pub jashtë Londrës për të vendosur çfarë të bënin më pas.
“Nuk e di nëse ende ekziston ky plan”, thotë Murdoch me një buzëqeshje. “Kanë kaluar shumë vite dhe askush nuk më tha kurrë se cili pub ishte.”/tvklan.al


