Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan–Korçë), ka ekzekutuar masa sigurie ndaj tre punonjësve të Policisë së Shtetit, të dyshuar për përfshirje në veprimtari të paligjshme të lojërave të fatit dhe shpërdorim detyre.
Nga hetimet e zhvilluara ka rezultuar se punonjësit e policisë, Hysen Duka, Gëzim Duka
dhe Ervin Shimplaku në bashkëpunim me shtetasin me iniciale F.D., i arrestuar më 23 mars 2025, kanë vënë në dispozicion ambientet e lokaleve në pronësi të tyre për organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit.
Gjithashtu, një prej efektivëve, Ervin Shimplaku, dyshohet se ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë, duke shkelur detyrimet ligjore të funksionit.
Elbasan – AMP ekzekuton masat e sigurisë për tre punonjës policie
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë), pas një hetimi disa mujor në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, ka ekzekutuar masat e sigurisë me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”, ndaj 3️⃣ punonjësve të policisë, të dyshuar për veprat penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojrave të fatit”, e kryer në bashkëpunim, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojra të palejuara” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga nenet 197 dhe 25, 198 dhe248 të Kodit Penal.
➡️ Inspektor H. D., me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Trupë Shërbimi i Ruajtjes e Sigurisë së Objektit, në Njësinë e Pritjes dhe Sigurisë Gjadër, pranë DVP-Lezhë.
➡️ Inspektor G. D., me detyrë në kohën e kryerjes së veprën penale, Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Elbasan, aktualisht me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Kukës.
➡️ Inspektor E. SH., me detyrë Trup Shërbimi i Trafikut Interurban dhe Urban pranë DVP-Elbasan.
Ekzekutimi i masave të sigurisë u bë i mundur pasi nga hetimet e zhvilluara me metoda speciale, ka rezultuar se punonjësit e policisë në bashkëpunim me shtetasin F. D., (i arrestuar me datë 23.03.2025), kanë vënë në dispozicion ambientet bar-kafe në pronësi të tyre me qëllim organizimin e aktivitetit të paligjshëm të lojrave të fatit. Ndërsa punonjësi i policisë E. SH., duke vepruar në mospërmbushje të rregullt të detyrës, ka ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar në sistemin elektronik të gjobave “E-GJOBA”, me qëllim kërkimin e të dhënave të mjeteve për llogari të personave të tretë.


