22:25 | 26 Tetor 2025
Lojërat e xhirove të shpejta kanë rreth një shekull që na bëjnë të provojmë adrenalinën, një boshllëk në stomak dhe ndoshta edhe të ndihemi pak të guximshëm.
Matematikania Hannah Fry shpjegon për BBC si zgjidhen materialet për të prodhuar këto lloj trenash sot.
“Duhet të gjesh një material që të jetë i lëmuar mjaftueshëm që njerëzit të mos kërcejnë sa andej-këtej, por edhe i fortë e rezistent që të mbajë peshën e këtyre trenave që lëvizin me shpejtësi marramendëse. Një kandidat i mirë për këtë është çeliku.”
Me një shufër çeliku të pozicionuar për të mbajtur pesha, ajo tregon sesi gjithçka qëndron te materiali. Shufra e plotë e çelikut lëviz 5 centimetra duke mbajtur peshën 27 kilogramë.
Me një shufër tjetër, e cila është bosh nga brenda, i njëjti eksperiment tregon se lëviz rreth 2 milimetra.
Ç’thotë shkenca për këtë?
“Me shufrën bosh të çelikut, ke të njëjtën sasi metali, por ke marrë pjesën në mes për ta vendosur nga jashtë duke rritur sipërfaqen e përgjithshme. Kjo do të thotë se kur ushtron forcë vertikale, e shpërndan peshën në të gjithë sipërfaqen kështu që fizika të jep pak qëndrueshmëri shtesë.”
Fry vendos ekzaktësisht 27 kilogramë dhe shufra mezi përkulet 1 centimetër. Siç shton ajo, kjo përbën një ndryshim shumë të madh duke marrë parasysh që këto lojëra peshojnë tonelata. Vendosja e gjithë eksperimentit në parkun e vërtetë të lojërave na bën të kuptojmë rëndësinë që ka një tub çeliku.


