Ministria e Mbrojtjes ka bërë një përditësim lidhur me situatën në vend si pasojë e motit të keq.
Përmes një njoftimi zyrtar Ministria e Mbrojtjes bën me dije se strukturat e mbrojtjes civile, në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe institucionet përgjegjëse, po ndjekin nga afër situatën në të gjithë vendin pas reshjeve të shiut gjatë 24 orëve të fundit.
Qarku më i prekur nga reshjet me intensitet të lartë është Shkodra, ku ekipet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) dhe Forcave të Armatosura (FA) kanë qenë në terren që prej mëngjesit.
Në bashkinë e Vaut të Dejës, situata po drejtohet drejt normalizimit, ndërsa niveli i ujit është ulur ndjeshëm dhe në disa banesa uji është tërhequr plotësisht. Për të shmangur rrezikun e përmbytjeve, po ndërhyhet me eskavatorë për devijimin e rrjedhës së përroit dhe ngritjen e një argjinature mbrojtëse.
Ndërkohë, ndërhyrje janë duke u kryer edhe në bashkinë Fushë Arrëz dhe në njësinë administrative Gur i Zi, ku po pastrohen inertet dhe gurët e rënë në akse rrugore për të garantuar qarkullim normal të mjeteve.
Nga qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika në infrastrukturë apo banesa si pasojë e motit me reshje.
Ministria thekson se Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Forcat e Armatosura dhe strukturat vendore të emergjencave civile mbeten në gatishmëri të plotë dhe vijojnë monitorimin e situatës në mënyrë të vazhdueshme.


