Pas ngjarjes tragjike në Maliq, ku humbën jetën nga asfiksia Merjeme Azizllari dhe djali i saj i madh 14 vjeç, L. Azizllari, fqinjët e familjes kanë folur për mediat, duke ndarë detaje nga jeta dhe vështirësitë me të cilat përballeshin të ndjerët.
Një nga fqinjët, Benereta Pashollari, tregoi se familja jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe se nëna përpiqej të kujdesej për dy fëmijët, të cilët ishin me spektrin autik.
“Familje punëtore, ishin me ekonomi të dobët. Babai i fëmijëve punonte, ajo mbante dy fëmijët, i ushqente me aq sa kishte mundësi. Bashkia i ndihmonte çdo muaj plus që merrnin dhe ushqime dhe ndihmë ekonomike.
Vajza ishte më e vogël se djali, djali në këmbë, vajza nuk lëvizte dhe aq. Nëna nuk kujdesej shumë për fëmijët. Ne të lagjes i flisnim, i thoshim “laji, shpëlaji”. E ndihmonim, çdo gjë i çonim. Si binte në qafë askujt. Të dy fëmijët ishin autikë”, tregoi ajo.
Sipas dëshmisë, zjarri dyshohet të ketë nisur nga një dyshek sfungjeri, ku luanin fëmijët.
“Unë për momentin nuk isha por aty ajo ka një krevat sfungjeri dhe ata fëmijët trazonin zjarrin. Ka rënë zjarri aty, kishte djegur sfungjerit dhe dihet që bëri shumë tym, pa flakë. Vajza është hedhur nga dritarja, kurse ata të dy nuk mundën të dilnin”, tha ajo për mediat.
Momenti i shpëtimit të vajzës ka ndodhur nga një grua që rastësisht ndodhej pranë banesës, pasi ishte telefonuar nga vetë nëna e fëmijëve për një ndihmë.
“Vajzën e shpëtoi një zonjë kurse djali mbaroi me të ëmën. Doli kjo zonja rastësisht se e mora në telefon për të marrë diçka. Në atë kohë dëgjoi të thirrurat dhe vajza i binte derës. I binte me shkelma. Dëgjoi komshia, doli dhe komshia tjetër dhe pastaj arritën atje ku kanë arritur”, tha ajo.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e kësaj të diele (19 tetor) rreth orës 13:30, në bllokun nr. 3, Maliq.
Fillimisht u raportua se nëna dhe dy fëmijët e saj kishin mbetur të plagosur, por më pas u mësua se gruaja, Merjeme Azizllari kishte ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë brenda në shtëpi.
Më vonë, ndërroi jetë në spital edhe djali i saj i madh, 14 vjeç, ndërsa në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve vazhdon të jetë fëmija i vogël 6 vjeç.
Nuk dihen ende shkaqet që çuan në përfshirjen e banesës nga flakët, ndërsa shërbimet zjarrfikëse dhe policia ndodhen në vendngjarje për të shuar zjarrin dhe nisur hetimet mbi rrethanat e incidentit.
Maliq / Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë më parë, lidhur me zjarrin e rënë në banesën e shtetasit V. A., në bllokun nr. 3, Maliq, ju informojmë se:
Si pasojë e asfiksisë, ka ndërruar jetë dhe 14-vjeçari, ndërsa 6-vjeçarja ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.