Një sistem antidron pritet të vendoset në 5 paraburgime dhe burgje të sigurisë së lartë në vend me qëllim parandalimin e futjes së sendeve të ndaluara në qeli nëpërmjet këtyre mjeteve fluturuese.
Sipas burimeve pranë drejtorisë së Burgjeve, ky sistem do të vendoset në paraburgimin 313 në Tiranë, ku mbahen të izoluar njerëzit më të rrezikshëm të botës së krimit, si krerë organizatash kriminale apo që kanë urdhëruar apo kryer atentate mafioze.
Në këtë paraburgim mbahen po ashtu dhe 13 të penduar të drejtësisë, të cilët me rrëfimet e tyre kanë ndihmuar prokurorinë të cmontojë banda të rrezikshme kriminale.
Sistemi antidron do të vendoset dhe në burgjet e sigurisë së lartë në Peqin, Drenove, Fier si dhe në burgun e Reçit në Shkodër, ku po ashtu mbahet të paraburgim apo po vuajnë dënimin eksponentë me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sistemi antidron u pa si një masë e rëndësishme e sigurisë në burgje, pasi pavarësisht se vendet e vuajtjes së dënimit monitorohen nga kamera sigurie sërish kjo sipas ekspertëve nuk mjafton për të identifikuar dronet, sidomos në distanca të mëdha.
“Vitet e fundit, zhvillimi teknologjik ka sjellë përdorimin e gjerë të dronave. Fatkeqësisht, disa individë ose edhe grupe kriminale kanë shfrytëzuar potencialin e dronave për qëllime të paligjshme, përfshirë kontrabandën në burgje dhe rrezikun e transportimit të eksplozivëve, spiunazhit dhe thyerjen e privatësisë,” thuhet në dokumentet e AKSHI-t, për tenderin në fjalë.
Referuar dokumenteve, tenderi me vlerë totale 2.3 mln euro, është fituar nga “Albascan” me administrator Elton Jorgjis. Në garë ishin 4 kompani, por tre prej tyre u përjashtuan pasi rezultoi se nuk kishin kryer pune të ngjashme.