Vullnet Muça, vëllai i Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut, që përfundoi i plagosur nga atentati te mbikalimi i Shkozetit në 2019, ka dëshmuar në GJKKO.
Vullnet Muça: Në 2019 kam jetuar në Sukth. Të pandehurit, nuk i njoh, kam dëgjuar si emër Plaurentin, se të dy nga Durrësi, por s’kam lidhje me të.
Aleksandër Lahon e kam vëlla. Në 2019 e kanë plagosur, e kam parë nga televizori, isha në palestër. Më mbrapa mora vesh që ka qenë në mjet me Andi Malokun, Arjan Ndojin. Po vinte nga rruga e plazhit.
Pasi shkova në spital na ra si bombë, se me këto palë nuk kemi pasur asnjë konflikt, pse u bë, qysh u bë. Sepse ai ka qenë shumë i aksidentuar, edhe sot është gati invalid. Ai thotë ‘na kanë gjuajtur nga mbrapa’ dhe një plumb e ka kapur në kokë, andaj ai s’mban mend asgjë’.
Doktorët thonë ka pësuar traumë. Jemi munduar të dimë të vërtetën, se me këta njerëz nuk kemi lidhje. Informacionet më të detajuara i ka shteti. Nuk mund ta di se nuk kemi pasur njeri më para. Kanë ardhur njerëz për vizitë.
Arjan Ndojën e kam takuar nja 2-3 herë. Ka thënë t’ia lëmë kohës, se nuk e dinim nga na kishte ardhur. Me familjen e Andi Malokut njihemi si bashkëfshatarë.
Vëllai ka pasur në përdorim një Benz të zi. Bashkim Malokun, Zamir Çyrben i njoh si komshi. I kam takuar si bisedë tavoline, si na erdhi, nga na erdhi.