Kreu i Prokurorisë së Posaçme tha gjatë raportimit të tij te Komisioni i Ligjeve se një problematikë e dukshme mbetet hetimi dhe gjurmimi i kriptovalutave, si në aktivitetin kriminale të operimit ë tyre, por edhe të veprimtarisë së organizatave që kryejnë pastrimin e parave duke i konvertuar kryesisht në kripto fitimet e tyre.
Altin Dumani shpjegoi me një rast konkret se si u penguan gjatë një hetimi dhe iu desh ndihma e partnerëve ndërkombëtarë me teknologji të sofistikuar. Ndaj ai kërkoi nga Komisioni ndryshimin e ligjeve ose hartimin e disa të rejave që të ndihmojnë SPAK-u në hetimin dhe gjurmimin e këtij krimi.
Dumani tha para komisionit se deri tani kanë gjetur dhe kanë ngrirë 11 mln euro në kripto.
“Kemi bllokuar e sekuestruar 11 mln euro kriptovaluta dhe kemi hasur vështirësi sepse nuk kemi portofolin për kriptomonedhat, jemi bazuar te ndihma e partnerëve ndërkombëtare, të një vendi të BE-së që na u vetëofrua, u krye në kuadrin ligjor sigurisht. Por jemi ndeshur me pengesa dhe ndaj duam ndryshime ligjore që të mos ndeshemi më tej me këto pengesa. Kemi të ngrira mbi 11 mln euro kriptovaluta, por duhen edhe ndryshime ligjore”, tha ai.
Kreu i SPAK shpjegoi edhe funksionimin e grupeve të ngritura nga institucioni i akuzës për këtë tipologji krimi, por vuri në dukje se kërkohen edhe teknologji apo programe të sofistikuara për t’i gjurmuar dhe më pas bllokuar.
“Kemi grupe të veçanta hetimi për ndjekjen e kriptove, por edhe bashkëpunim me vendet e BE-së, deri në Mbretërinë e Bashkuar për programet e ndjekjes së kriptove, por siç e theksova është i nevojshëm edhe aspekti ligjor me disa ndryshime”, tha Dumani.