Koha e shpalosjes, nevoja për një gjuhë të re! Opozita shqiptare ndodhet në udhëkryqin më vendimtar që prej viteve ’90.
Nuk është më çështje votash, por vlerash. Jo më luftë për pushtet, por betejë për besim. Në një vend ku politika ka humbur moralin dhe publiku ka humbur durimin, Opozita duhet të rikthejë ndershmërinë si normë dhe shërbimin si detyrim moral. E djathta shqiptare, nëse do të ripërtërihet e tia rinisë, duhet të rifitojë qytetarin, jo të ndjekë pas pushtetin. Sepse pushteti pa besim është dekor i kotë, ndërsa besimi pa pushtet është energji që pret përmbajtje.
Siç ndodhi me CDU-në e pasluftës në Gjermani, morali para pushtetit, vlera para llogarisë. Rrënjët e humbjes, kur pushteti bëhet qëllim
Kundër një regjimi të sofistikuar, që e njeh frikën si mjet dhe kontrollin si siguri, Opozita shpesh është kundërpërgjigjur me improvizim.
Ka ndërruar flamuj, por jo doktrinë. Ka ndërruar emra, por jo sjellje. E kështu, është bërë pjesë e një rrethi vicioz që pretendon të luftojë.
Nëse e majta ndërton pushtetin mbi aparatin, e djathta duhet të ndërtojë moralin mbi qytetarin.
Nëse e majta mobilizon frikën, e djathta duhet të ngrejë besimin.
Asnjë opozitë nuk fiton dot kurrë, nëse nuk fiton ndërgjegjen e vet. Parimi si fillim, rindërtimi mbi themele
Fiton ai që ofron fillim, jo riparim. Që ndërton drejtësi, jo hakmarrje. Që sjell qartësi, jo zhurmë. Opozita duhet të ndalë së foluri si aktore në një dramë që e ka humbur publikun. Duhet të shpallë një rinisje nga e para, të bazuar mbi doktrinë, virtyt dhe drejtësi. Një opozitë që reagon është pasqyrë.
Një opozitë që mendon është alternativë. Siç e nisi Pjetër Bogdani, nga libri, jo nga karrigia. Shqiptarizmi dhe Dalëzotësia, si boshti moral. Doktrina e së djathtës duhet të ketë në themel Shqiptarizmin, jo si nacionalizëm folklorik, por si kulturë përgjegjësie, etikë besimi dhe vetëdije shërbimi. Shqiptarizmi është ndriçim që bashkon, jo thirrje që përjashton. Dalëzotësia është përkthimi moral i kësaj fryme, të dalësh zot për familjen, për dinjitetin, për kombin, për të vërtetën. Ajo është prova që e ndan të djathtën nga çdo tjetër. Jo thjesht program, por sjellje. Jo thjesht mjet, por përkushtim.
Siç Bogdani, Konica dhe At Gjergj Fishta përçuan vetëdijen kombëtare me pendë dhe sakrificë, po ashtu e djathta duhet ta rifillojë rrëfimin nga fjala që ringjall, jo nga britma që mbulon. Shteti i qytetarit, nga doktrina në institucion. Shteti i përket qytetarit vetëm kur ligji është më i fortë se pushteti, dhe transparenca më e fortë se propaganda. Parime programatike përbashkuese:
• Transparencë fiskale në çdo qindarkë publike.
• Qeverisje vendore që raporton çdo 3 muaj publikisht.
• Kontroll kushtetues mbi çdo akt ekzekutiv, sipas modelit të Gjykatës Kushtetuese Gjermane.
• Referendum i detyrueshëm për çdo marrëveshje që prek interesin kombëtar.
Ashtu si Gjermania pas Luftës së Dytë ndërtoi rendin e ri mbi qytetarin si burim legjitimiteti, Shqipëria duhet ta rindërtojë republikën si marrëveshje morale, jo thjesht kushtetuese.
Kush nuk ngre moralin, s’ngre dot as flamurin.
Ekonomia e punës së ndershme
Puna është dinjitet, jo vetëm të ardhura.
E djathta duhet të mbrojë njeriun që punon, jo vetëm bilancin që mat.
Parime përbashkuese:
• Ulje tatimore për sipërmarrjet që krijojnë punë të qëndrueshme.
• Program dual arsim-zanat, si në Austri dhe Gjermani.
• Politika për ringjalljen e prodhimit bujqësor kombëtar.
• Lehtësi fiskale për çdo teknologji që ruan vendet e punës.
Sepse pas çdo tatimi është një njeri që punon, jo një numër që paguan.
Prindërimi politik, brezat dhe shteti! Krizat ekonomike kalojnë. Shterimi i shpresës, jo. Më pak lindje. Më shumë ikje. Më pak familje. Më shumë vetmi.
E djathta duhet të bëhet dorë që mban, jo dorë që numëron.
Parime përbashkuese njerëzore:
• Stimul fiskal për prindërit dhe fëmijët që rriten në Shqipëri.
• Mbështetje reale për nënat që punojnë.
• Arsimi si investim për trashëgimi kombëtare, jo për kreditë ndërkombëtare.
E djathta duhet të mësojë brezin që e shpreson, jo brezin që e justifikon.
Kosova dhe Bashkimi Evropian, bashkë ose hiç
Evropa nuk është projekt teknik, por vendim moral. Shqipëria nuk mund të ecë drejt BE-së duke e lënë Kosovën jashtë.
Integrimi që lë pas gjysmën e kombit është amputim moral.
Shtyllë përbashkuese:
• Krijimi i një Këshilli të Përbashkët Shqipëri-Kosovë për integrimin.
• Harmonizim legjislativ dhe diplomatik në çdo hap.
• Votë e përbashkët për çdo akt që prek fatin kombëtar.
Ashtu si De Gasperi e ndërtoi Italinë me parime përpara integrimit, Shqipëria duhet ta ndërtojë bashkimin kombëtar si themel për integrimin.
E Djathta si shkollë, jo si klub! Partia që s’e edukon qytetarin, s’ka të ardhme. E djathta nuk duhet të jetë klub nostalgjik, por shkollë që formon breza.
Frymëzime përbashkuese:
• Akademi për formimin politik të të rinjve.
• Mbështetje për media dhe universitete që promovojnë dinjitetin dhe dialogun.
E djathta që s’e ngre kombin në shpirt, nuk e çon dot as në pushtet.
Të djathtët nuk predikojnë. Ata ndërtojnë institucione që i përkasin njeriut, jo partisë.
Opozita nuk ka nevojë për figura, por për dritë. Për të fituar duhen këshillat, jo duartrokitjet, vlerat, jo maskat, besimi, jo marketingu.
Shqipëria do të fitojë, kur e djathta të rifitojë njeriun.
Ky është misioni i së djathtës së rinisur, të kthejë politikën në shërbesë, qytetarin në zot të shtetit, dhe kombin në shtëpinë e vet të dinjitetit.