Një ditë pas mbledhjes së jashtëzakonshme me 260 gjyqtarë, komandanti i Gardës së Republikës, Simon Zereci, ka inspektuar ambientet e GJKKO.
Zereci zhvilloi një takim me kryetarin e GJKKO-së, Erion Bani, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të sigurisë në gjykatë, si dhe pritet të kryejë një inspektim të plotë të ambienteve.
Ky zhvillim vjen një ditë pasi kryetari Bani, gjatë mbledhjes së përgjithshme të gjyqtarëve, kërkoi inspektime të menjëhershme në të gjitha ambientet e gjykatave.
Ai theksoi nevojën për të evidentuar çdo problematikë, përfshirë edhe ankesat apo shqetësimet e gjyqtarëve dhe stafit, të cilat lidhen me sigurinë gjatë ushtrimit të detyrës.
Pas vrasjes tronditëse të gjyqtarit Skerdilajd Kalja brenda sallës së gjyqit në Elbasan, debati publik u përqendrua te përgjegjësia institucionale për garantimin e sigurisë në gjykata. Ky incident solli përplasje dhe akuza të ndërsjella mes institucioneve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor publikoi më pas një korrespondencë me Policinë e Shtetit, ku i kujton se, sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2010, është detyra e saj të sigurojë sallat e gjyqeve me efektivë policie. Sipas KLGJ-së, aktualisht Policia e Shtetit ofron shërbim vetëm me një punonjës në hyrjen kryesore të gjykatave, aty ku hyjnë palët dhe publiku.