Dy persona janë arrestuar nga policia e Vlorës si autorë të dyshuar të dhunimi të 61-vjeçarit Kozma Kukli, punonjës i Ndërmarrjes së Pastrimit.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale E. S., 37 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për “Plagosje e rëndë me dashje”, kryer me armë zjarri; dhe shtetasi me iniciale K. N., 30 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata për motive të dobët kanë dhunuar fizikisht me sende të forta 61-vjeçarin, i cili aktualisht ndodhet i shtruar në repartin e Reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë.
Burime bëjnë me dije se ai ka pësuar dëmtime të shumta në kokë dhe në syrin e djathtë dhe rrezikon humbje të shikimit.
Sipas dëshmisë së vetë të moshuarit, dy persona janë afruar me një furgon, kanë zbritur prej tij dhe e kanë goditur në mënyrë të menjëhershme dhe pa asnjë paralajmërim.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur “Tregu i Çoles”, në lagjen “Bashkimi”, dhe identifikimi i autorëve u bë pas këqyrjes së pamjeve filmike.