Ngjarja e rëndë e ndodhur ditën e djeshme në Gjykatën e Apelit, ku u vra në krye të detyrës teksa jepte vendimin e radhës gjyqtari Astrit Kalaja, ka vënë në lëvizje të gjithë institucionet e drejtësisë.
Gjykata e Lartë ka thirrur të enjten e 9 tetorit, në orën 10:00 edhe një mbledhje urgjente me të gjithë gjyqtarët në Shqipëri.
Konfirmimi bëhet përmes një njoftimi publik nga vetë institucioni, që nënvizon se të gjithë magjistratët kanë rënë dakord pas një mbledhje paraprake të mbajtur me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit. GJL e quan moment bashkimi, reflektimi dhe force morale për trupën gjyqësore këtë takim dhe se asgjë s’do i përkulë në misionin e tyre për drejtësi.
“Kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë, asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën, asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit”, thuhet mes të tjerash në njoftimin publik.
Më tej është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, “në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor”.
Njoftimi i plotë i Gjykatës së Lartë:
“Ngjarja e rëndë dhe e dhimbshme e ndodhur së fundmi, që tronditi thellë sistemin gjyqësor dhe opinionin publik, ka nxjerrë në pah gjendjen e brishtë të sigurisë, por edhe rëndësinë e respektit që duhet të shoqërojë ushtrimin e funksionit gjyqësor.
Pas dakordësisë së shprehur nga të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryetarët e të gjitha gjykatave të vendit, është autorizuar Kryetari i Gjykatës së Lartë që, në ushtrim të përgjegjësive institucionale, të thërrasë të gjithë gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë në një mbledhje të veçantë, e cila do të zhvillohet ditën e enjte, më datë 9 tetor 2025, ora 10:00, në ambientet e Këshillit të Lartë Gjyqësor.
Kjo mbledhje përfaqëson një moment të rëndësishëm bashkimi, reflektimi dhe force morale për gjithë trupën gjyqësore të vendit, e cila do të shprehë qartë dhe me dinjitet se:
-asnjë akt dhune nuk do ta përkulë drejtësinë;
-asnjë kërcënim nuk do ta ndalë gjyqtarin të kryejë me ndershmëri detyrën;
-asnjë presion politik apo publik nuk do të cenojë pavarësinë e gjykimit.
Gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë do të qëndrojnë të bashkuar, me kurajë dhe vendosmëri, për të mbrojtur jo vetëm jetën dhe dinjitetin e tyre, por edhe vetë të drejtën e qytetarëve për një drejtësi të paanshme dhe të pavarur.
Në këtë moment të ndjeshëm, trupa gjyqësore i drejtohet opinionit publik me besim dhe respekt, duke ftuar të gjithë të kuptojnë se drejtësia nuk është armike e askujt, por mburoja më e fortë e shoqërisë dhe e çdo qytetari ndaj padrejtësisë dhe dhunës.
Ky është një moment që kërkon forcë, qetësi dhe unitet. Drejtësia shqiptare do të vazhdojë misionin e saj me dinjitet, besim dhe vendosmëri”.