Një tjetër përplasje është shënuar të hënën mes banorëve të fshatit Kurdari, në njësinë administrative Suç të Klosit, dhe përfaqësuesve të kompanisë që synon ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës.
Përplasja nisi pasi punonjësit e kompanisë tentuan të futeshin në zonën ku parashikohet ndërtimi i HEC-it, ndërsa banorët i ndaluan. Në vendngjarje ndërhynë forcat e policisë, të cilat kërkuan lirimin e rrugës dhe lejimin e mjeteve të kompanisë. Banorët kundërshtuan, duke i kërkuar policisë të respektonte procesin gjyqësor në zhvillim që lidhet me ndërtimin e hidrocentralit. Ata kërkuan që të ndalonte çdo veprim në terren deri në momentin që gjykata të shprehet për sigurimin e padisë.
Pas rezistencës së banorëve, policia tentoi të shoqëronte një prej tyre, por bashkëfshatarët u përpoqën ta ndalonin ndërhyrjen dhe kërkuan që ta shoqëronin vetë personin. Ky i fundit u mbajt për disa orë në ambientet e Komisariatit të Policisë Mat dhe më pas u la i lirë.
BIRN mësoi se Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë nuk ka marrë ende një vendim për sigurimin e padisë, ndërkohë që seanca paraprake për këtë çështje është planifikuar më 15 tetor, dhe seanca gjyqësore më 16 tetor 2025.
Sigurimi i padisë është një masë e përkohshme që kërkohet në gjykatë për të pezulluar veprimet apo pasojat e një vendimi, derisa të merret një vendim përfundimtar mbi çështjen. Në kërkesën e paraqitur nga banorët, nëpërmjet avokatëve të tyre, kërkohet pezullimi i çdo veprimi në terren për ndërtimin e HEC-it deri në përfundimin e gjykimit në themel.
Avokatja e çështjes, Dorina Prethi, e kontaktuar në rrugë elektronike, nuk ishte e arritshme për koment deri në momentin e publikimit të këtij lajmi.
Projekti për ndërtimin e hidrocentralit “Doma” në lumin e Lusës ka hyrë tashmë në betejë ligjore. Banorët e Kurdarisë kanë paditur Bashkinë Klos, Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit (AKZhT), Agjencinë e Zhvillimit të Zonave të Mbrojtura (AZhM) dhe shoqërinë “Global Enterprise Group” sh.p.k.
Padia kërkon pavlefshmërinë absolute të vendimeve të Këshillit Bashkiak të Klosit, të kontratave dhe lejeve të dhëna për shfrytëzimin e ujit dhe ndërtimin e HEC-it, duke pretenduar se ato janë marrë në shkelje të ligjit dhe pa konsultime publike me komunitetin.
Në seancën e parë të zhvilluar në Gjykatën Administrative të Tiranës, ishin të pranishëm përfaqësues të Bashkisë Klos, të kompanisë dhe të Avokaturës së Shtetit, ndërsa munguan përfaqësuesit e AKZhT-së.
Përplasjet në terren janë bërë të shpeshta muajt e fundit, pasi kompania ka tentuar disa herë të nisë punimet në lumin Lusë. Banorët kanë bllokuar makineritë dhe punonjësit, duke kërkuar ndalimin e çdo ndërhyrjeje derisa të përfundojë procesi gjyqësor. Disa prej tyre janë proceduar penalisht për rezistencë ndaj forcave të rendit.
“Logjikisht ne besojmë se, për sa kohë që ka nisur një proces gjyqësor, punimet do të duhej të ndaleshin. Ai ka ardhur sërish në terren, më shumë edhe për të provokuar banorët. Ne kemi dalë e bllokuar punimet prej muajsh. Tani ia kemi lënë shtetit dhe gjykatës të japë drejtësi,” – u shpreh Altin Gjini, banor i zonës, jashtë ambienteve të Komisariatit të Policisë Mat.
“Ti sjellësh mjetet në terren kur e di që je në një proces gjyqësor është totalisht e qëllimshme. Ata e dinë mirë që atje kanë një popull kundër – një zonë me më shumë se 600 familje me firmë. Ky është laku në fyt: ose ne ruajmë tokën dhe shtëpinë tonë, ose dalim rrugëve,” – deklaroi Erind Saliaj, administrator i njësisë Suç, i pranishëm gjatë ngjarjes.
Dhjetëra banorë kishin lënë punët e përditshme në bujqësi dhe ishin mbledhur përpara komisariatit, duke pritur lirimin e bashkëfshatarit të tyre të shoqëruar. Sipas tyre, shoqërimi ishte i padrejtë dhe përbënte një përpjekje për t’i frikësuar. Ata thonë se janë mbi 20 banorë të proceduar penalisht.
Abdullah Abdulli theksoi se banorët e fshatit nuk kanë asnjë qëllim politik apo konfliktual, por po mbrojnë jetesën e tyre:
“Ne nuk kemi asnjë lloj pune tjetër, veçse të vijmë këtu tek policia. Nëse ka zot, na lini rehat. Këta njerëz që janë këtu janë në kulmin e punëve, duhet mbledhur rrushi, duhen korrur misri e plot punë të tjera. Nuk kemi kohë e mundësi të rrimë nëpër rrugë e të bëjmë roje. Ju lutem, na lini në hallet dhe terezinë tonë. Ky popull po mbron pronën, ujin dhe jetën e vet.”
Pas incidentit në fshat, banorët kanë njoftuar një protestë më 9 tetor 2025, përpara Kuvendit të Shqipërisë, për të kërkuar ndalimin e projektit që ata e konsiderojnë kërcënim për jetën dhe mjedisin.
HEC-i “Doma” është pjesë e një projekti më të gjerë për ndërtimin e tre hidrocentraleve përgjatë lumit Lusë. Banorët pretendojnë se asnjë proces dëgjese publike nuk është zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe se ndërtimi rrezikon ekosistemin dhe burimet ujore që shërbejnë për ujitjen dhe jetesën e tyre./BIRN/