Policia e Shkodrës ka bërë një reagim zyrtar lidhur me arrestimin e xhaxhait të autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.
Gjovalin Shkambi u arrestua sot, pasi deklaroi në media se ai gjyqtar që do të dënojë nipin e tij, Elvis Shkambi do të ketë fatin e Astrit Kalasë.
“Ata që do të dënojnë atë do të përballen me të njëjtën gjë. Ata që do të dënojnë nipin do të përballen me plumba, sepse ka 13 vjet që i shkruajmë kryeministrit dhe gjithë qeverisë na i jepni pronën se e kemi blerë. Ai gjyqtari që do dënoj atë ka të njëjtën shpërblim, provat i dhamë”, tha Gjovalin Shkambi.
Reagimi i policisë
Shkodër
Dha deklarata kanosëse, në media, kundrejt përfaqësuesve të sistemit gjyqësor, vihet në pranga 49-vjeçari.
Menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër, kapën dhe shoqëruan në Komisariat 49 vjeçarin.
Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”
vijon…