Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë shprehu tronditjen e thellë për vrasjen e gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja, dhe përcolli ngushëllimet më të sinqerta për familjen dhe kolegët e tij.
Në një deklaratë, Gjykata e Lartë thekson se kjo ngjarje është sinjal alarmi për sigurinë ku ushtrojnë detyrën gjyqtarët dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës së gjykatave.
Gjykata kërkon veprime të menjëhershme dhe të qëndrueshme nga shteti për garantimin e sigurisë fizike dhe institucionale të gjyqtarëve, duke theksuar se mbrojtja e tyre është mbrojtje e drejtësisë dhe besimit të publikut në shtetin ligjor.
Reagimi i Gjykatës së Lartë:
DEKLARATË E TRUPËS GJYQËSORE TË GJYKATËS SË LARTË
Trupa gjyqësore e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për ngjarjen tragjike që solli humbjen e jetës së gjyqtarit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Astrit Kalaja, dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të afërmit dhe kolegët e tij.
Kjo ngjarje e rëndë është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në të cilën ushtrojnë funksionin gjyqtarët e Republikës dhe për gjendjen shqetësuese të infrastrukturës në të cilën funksionojnë shumë prej gjykatave shqiptare.
Në një shtet të së drejtës, gjyqtari duhet të ndjehet i mbrojtur dhe i respektuar në ushtrimin e detyrës së tij, jo vetëm nga pikëpamja fizike e infrastrukturore, por edhe përmes një klime publike të respektit dhe përmbajtjes në gjuhën që përdoret ndaj figurës së tij. Çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin e qytetarëve në shtetin ligjor.
Gjykata e Lartë vlerëson se garantimi i sigurisë fizike e institucionale të gjyqtarëve është një përgjegjësi e drejtpërdrejtë shtetërore, që kërkon veprim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm.
Mbrojtja e gjyqtarëve është mbrojtje e vetë drejtësisë dhe e besimit të publikut tek shteti i së drejtës.