Mjeku ligjor, Naim Uka, gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt më 2023, ka dhënë detaje për raportin e autopsisë së Ademajt.
Ai ka thënë se në bazë të provave mjeko-ligjore distanca e vrasjes së Ademajt është rreth 2.5 centimetra.
“Gjatë procedurave të autopsisë mjeko-ligjore është konstatuar vrima hyrëse në regjionin e djathtë të kokës, e shkaktuar nga veprimi dinamik e cila ka pas veprim nga e djathtë në të majtë, nga poshtë pjerrtas lartë. Është e rëndësishme të thuhet, se pjesë metalike e kësaj predhe është futur në pjesën e majtë të kokës, e cila është dorëzuar si provë te policët hetues. Si rezultat i kësaj plage, ka ardhur edhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme e trurit, e cila është shkaku i vdekjes”, ka theksuar Uka.
Më tej ai ka thënë se në rastet kur mungojnë të dhënat paraprake të vendit të ngjarjes, kryhen edhe ekzaminimet e detajuara të shuplakave të duarve të viktimës.
“Edhe në këtë rast kemi kryer ekzaminimet e dy duarve … është eliminuar mundësia që e njëjta të ketë përdorur ndonjë armë, apo të ketë shkaktuar vetëvrasje”, ka shtuar Uka.