Një tjetër ngarkesë me produkte shqiptare është bllokuar në kufi nga autoritetet kroate. Bëhet fjalë për një sasi me krem fistiku, e cila është ndaluar për shkak të pranisë së një substance toksike të rrezikshme për shëndetin.
Sipas sistemit evropian të sigurisë ushqimore, RASFF, në produkt është zbuluar nivel i lartë i aflatoksinës, një toksinë natyrale me efekte helmuese, që prodhohet nga disa lloje mykësh dhe mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore, përfshirë edhe dëme në mëlçi.
Mostrat nga kjo ngarkesë janë marrë nga autoritetet doganore kroate më datë 8 shtator, dhe pas analizave, rezultoi se produkti ishte i kontaminuar. Si pasojë, ngarkesa është asgjësuar menjëherë në Kroaci.
Njoftimi është bërë publik në sistemin RASFF më 3 tetor, me qëllim që edhe vendet e tjera anëtare të BE-së të ndalojnë qarkullimin e këtij produkti nëse ndodhet në tregjet e tyre.
Ky nuk është rasti i parë që Kroacia bllokon produkte nga Shqipëria për shkak të problemeve me sigurinë ushqimore. Autoritetet shqiptare nuk kanë bërë ende një reagim zyrtar për këtë incident.
Kujtojmë se më 1 tetor Kroacia bllokoi një ngarkesë me speca djegës nga Shqipëria, për shkak të përmbajtjes së pesticideve të ndaluara që u gjetën në perime.
Ngjarja vjen pas disa rasteve të ngjashme gjatë muajve të fundit, ku produkte të tjera bujqësore nga Shqipëria janë kthyer mbrapsht nga vende si Kroacia, Italia dhe Greqia, për shkak të pesticideve jashtë normave të lejuara.
Sipas sistemit të RASFF (Sistemi i Alarmit të Shpejtë për Ushqimin dhe Ushqimin për Kafshë në BE), Shqipëria rezulton mes vendeve me numrin më të lartë të paralajmërimeve për produktet bujqësore me mbetje të rrezikshme kimike.