Turqia, Jordania, Emiratet e Bashkuara Arabe, Indonezia, Pakistani, Arabia Saudite, Katari dhe Egjipti mirëpritën hapat e ndërmarra nga Hamasi në përgjigje të propozimit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë të përbashkët, ministrat e jashtëm të tetë vendeve “mirëpritën hapat e ndërmarra nga Hamasi lidhur me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Gaza, për lirimin e të gjithë pengjeve, të gjallë ose të vdekur, dhe për nisjen e menjëhershme të negociatave për mekanizmat e zbatimit”.
Ata mirëpritën gjithashtu “thirrjen e Trumpit drejtuar Izraelit për të ndalur menjëherë bombardimet dhe për të filluar zbatimin e marrëveshjes së shkëmbimit”, duke shprehur vlerësim për angazhimin e tij ndaj vendosjes së paqes në rajon, njoftoi Ministria e Jashtme e Turqisë.
Ministrat theksuan se këto zhvillime përfaqësojnë “një mundësi reale për arritjen e një armëpushimi gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, si dhe për adresimin e kushteve kritike humanitare me të cilat përballet populli në Rripin e Gazës”.
Ata gjithashtu përshëndetën njoftimin e Hamasit për gatishmërinë e tij për t’ia dorëzuar administrimin e Gazës një Komiteti Kalimtar Administrativ Palestinez të përbërë nga teknokratë të pavarur, ndërsa nënvizuan nevojën për “nisjen e menjëhershme të negociatave për përcaktimin e mekanizmave të zbatimit të propozimit dhe trajtimin e të gjitha aspekteve të tij”.
Ministrat riafirmuan angazhimin e tyre për t’i dhënë fund luftës në Gaza dhe për arritjen e një paqeje gjithëpërfshirëse, duke theksuar rëndësinë e “dërgimit pa pengesa të ndihmave humanitare, lirimin e pengjeve, rikthimin e Autoritetit Palestinez në Gaza dhe unitetin mes Gazës dhe Bregut Perëndimor”, si dhe vendosjen e “një mekanizmi sigurie që garanton mbrojtjen e të gjitha palëve” dhe hap rrugën për një zgjidhje të drejtë me dy shtete.