Tensionet në lagjen nr. 14 të Korçës mes fëmijëve dhe familjarëve të tyre janë të larta, sidomos pas ngjarjes së djeshme, ku një 14-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës në depresion të momentit, për shkak se tallej si fshatare nga fëmijët e tjerë të lagjes.
Vajza u hodh nga kati i tretë dhe mori plagë serioze, teksa ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Por kjo ngjarje ka sjellë edhe rritjen e tensioneve.
Nëna 42-vjeçare Sonila Dhëmbi, pasi ka mësuar për ofendimet dhe rrahjen e të bijës ditëne e djeshme, ka kapur duke goditur dhe fyer një nga vajzat 13-vjeçare në lagje.
Familjarët e të miturës janë ankuar në Policinë e Korçës. Burime zyrare thanë sot (5 tetor) se e proceduan penalisht 42-vjeçaren. Policia konfirmoi se e proceduara në gjendje të lirë është nëna e 14-vjeçares që tentoi vetëvrasjen, teksa po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së të gjithë ngjarjes.
Por dyshohet se pas shoqërimit të saj në Komisariat, fëmijët i kanë thënë të miturës se “mamin ia kishin çuar në polici”. Kaq ka mjaftuar dhe të ndodhte dhe tentativa e vetëvrasjes së 14-vjeçares.
“U procedua penalisht S. Dh., 42 vjeçe, banuese në Korçë, e cila dyshohet se ka ofenduar dhe goditur një 13-vjeçare, për motive të dobëta”, thuhet shkurtimisht në njoftimin zyrtar.
Në dëshminë e saj 42-vjeçarja ka pretenduar se pikërisht 13-vjeçarja ka pasur konfliktin me të bijën, duke e ofenduar dhe bërë që ajo të tentonte flijimin, pak pas shoqërimit të saj në Komisariat.
Konfliktet në lagje kanë qenë të vazhdueshme mes fëmijëve dhe shpesh herë janë përfshirë edhe të rriturit.
Nëna e 14-vjeçares ka folur edhe për News24. Sonila Dhëmbi tha se e bija saj kreu aktin, pasi sipas saj e ajo bullizohej nga bashkëmoshatarët.
“U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat”, tha nëna e 14-vjeçares, e cila aktualisht ndodhet në spital për mjekim.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi rreth orës 15:20, në lagjen nr. 14, ku adoleshentja u vetëhodh nga kati i tretë i pallatit ku banonte.
“Aktualisht ajo po merr mjekim në spital, jashtë rrezikut për jetën”, tha policia.
Rrëfimi i plotë
Burrin e kam në burg për dhunë në familje, kam katër fëmijë. Erdha në shtëpi nga Barmashi i Kolonjës, në lagjen 14 në Korçë. Vajzën e madhe ma kanë rrahur, edhe vajzën e dytë. Po shtohen bullizimet. Para dy ditësh e ka goditur çupën një vajzë në kurriz. I thashë asaj që ma goditi mos të më bezdisin vajzat time. Sot prapë i vajti çupës time ta godiste. Më goditi dhe mua në stomak dhe mua më morën në polici. Kur isha unë në polici, çupa u hodh nga kati i tretë. U hodh se e tallnin fëmijët në lagje, i thoshin që “mamin ta morën në polici, jeni fshatarë”. Merrni masa se nuk më lenë rehat”.