Aktori i njohur dhe aktivisti Florjan Binaj, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, në zgjedhjet e pjesshme që priten të mbahen në 9 nëntor.
Në një deklaratë publike të shpërndarë në rrjetet sociale, Binaj thekson se kjo është një nismë qytetare, e pavarur nga partitë politike dhe e përqendruar te nevojat reale të kryeqytetasve.
“Na duhet një drejtues qytetar, i zgjedhur nga qytetarët, për qytetarët. Asnjë nga ne nuk mund të presë edhe 34 vite të tjera për të parë ndryshimin,” shprehet Binaj në mesazhin e tij.
Ai nënvizon se kandidatura e tij nuk ka për qëllim ndarjen e qytetarëve, por bashkimin e tyre për një qëllim të përbashkët, përmirësimin e jetës në Tiranë dhe rikthimin e besimit tek institucioni i bashkisë.
Binaj i fton qytetarët, intelektualët, të majtë e të djathtë, si dhe partitë politike që sipas tij “duan realisht ndryshimin”, të mbështesin nismën e tij.
Binaj hyn në këtë garë duke pasur përballë kandidaten e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu si dhe Arlind Qorin nga Lëvizja Bashkë.
Deklarata publike
Të dashur mikesha dhe miq, qytetarë të ndershëm punëshumë e fjalëpakë të kryeqytetit të Shqipërisë. Si një artist i përfshirë në çështje publike me interes Kombëtar prej 22 vitesh, si një kryefamiljar, i rritur në një kryeqytet i cili ka shkatërruar shumëçka në emër të zhvillimit dhe që shumë pak gjëra kanë mbetur ende pa u bërë ish, nisur nga nevoja e menjëhershme për të pasur në drejtim të kryeqytetit një figurë e cila nuk është gjymtyrë e asnjë partie pasi e kemi parë në 34 vite që kjo mënyrë jo e drejtpërdrejtë nuk ka qënë frytëdhënëse në përmirësimin e cilësisë së jetës tonë. Na duhet një drejtues qytetar i zgjedhur nga qytetarët për qytetarët sepse asnjë nga ne nuk mund të presë më edhe 34 vite të tjera. Prandaj kam vendosur, të shpall kandidaturën time për Kryetar Bashkie të Tiranës duke dhënë gjithë veten time për të përfaqsuar sa më denjësisht çdo qytetare dhe qytetar, me apo pa parti, elektoratin gri por pa i ndarë njerëzit në krahë, por si të barabartë, sepse asnjë qytet dhe aq më tepër kryeqyteti, nuk mund ti shërbejë vetëm palës politike që e drejton. Unë besoj se kontributi im do i shërbejë edhe pse gjysëm mandati, shpresës dhe bashkimit, përmirësimit të jetës të të gjithë kryeqytetasve.
Uroj dhe shpresoj që të gjitha partitë politike qe duan vërtet ndryshimin pavarësisht ngjyrave të bashkohen me këtë nismë dhe të kenë besim tek qytetarët ashtu siç qytetarët kanë pasur besim tek ta.
Qëllimi im është, që së bashku, ta nxjerrim bashkinë nga gjëndja në të cilën ndodhet për shkak të politikës dhe t’jua rikthejmë atë qytetarëve si një shtëpi për të gjithë ne. Të rikthejmë besimin tek institucioni i bashkisë në shërbim të komunitetit!
Ftoj të gjithë qytetarët, intelektualët të majtë dhe të djathtë të na bashkohen.
Faleminderit.