Ish-deputeti demokrat, Dashnor Sula, ka reaguar ashpër pas deklaratës që kreu i PD-së, Sali Berisha bëri sot pas mbledhjes së kryesisë së PD.
Berisha u shpreh se opozita do të mbështesë kandidaturat e figurave të pavarura, jo-politike për zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit në 6 bashki të vendit.
Këtë deklaratë, Sula e përkthen si bojkot nga lidershipi i PD-së.
“Kryesia e Partisë Demokratike paska marrë vendim që në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 9 Nëntor, të mos garojnë me një emër që vjen nga radhët e Partisë Demokratike por nga shoqëria civile.
De fakto, ky vendim përkthehet: Partia Demokratike po i bojkoton zgjedhjet”, shkruan Sula në reagimin e tij në Facebook.
Postimi i plotë
Lidershipi i PD po bojkoton zgjedhjet!
Kryesia e Partisë Demokratike paska marrë vendim që në 6 bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme më 9 Nëntor, të mos garojnë me një emër që vjen nga radhët e Partisë Demokratike por nga shoqëria civile.
De fakto, ky vendim përkthehet: Partia Demokratike po i bojkoton zgjedhjet.
Unë jam nga ata që mbroj tezën që Partia Demokratike duhet të hapet për figura të reja. Kujdes, Partia Demokratike po them.
Të marrësh një figurë nga çdo kategori e shoqërisë dhe ta vendosësh në garën për bashkinë më te madhe dhe më të rëndësishme të vendit është djallëzore.
1- Me një kandidaturë jashtë radhëve të PD nuk të angazhohet asnjë strukturë e partisë në fushatë dhe praktikisht e humbe garën në tavolinë.
2- Me një kandidaturë jashtë radhëve të PD por nga shoqëria civile, me humbjen e garantuar lidershipi i PD po përgatit argumentin e paszgjedhjeve për të mbajtur statuskuone. ( E shikoni që nuk është problemi te Drejtuesit e PD. Edhe kandidatura nga shoqëria civile edhe të bashkuar nuk e mundim dot regjimin). Ndaj edhe pas 9 Nëntorit lidershipi nuk duhet të ndryshojë!
3-Me një kandidaturë jo nga radhët e PD, por nga shoqëria civile e propozuar nga ndonjë nga partitë e reja, defakto Partia Demokratike e humbet edhe trofeun e partisë kryesore në Opozitë. Parti kryesore e opozitës bëhet ajo që propozon kandidatin.
4-Nëse unë gaboj me tri të parat, atëherë ka diçka edhe më pesimiste: Partia Demokratike që dikur ishte frymëzim dhe me resurse njerëzore të pashterëshme tashmë nuk gjen dot një kandidaturë serioze nga radhët e veta që të mos dalë me një rezultat qesharak.
Në Partinë Demomratike, drejtuesit duhet të ishin në siklet se kë të zgjedhnin mes emrave nga radhët e veta dhe jo të shpallin thirrje publike ofrojme vend pune kandidat për Bashkinë e Tiranës.
Për të mos ardhur kjo gjende kam folur dhe flas çdo ditë. Por ajo parti e ka humbur kontaktin me anëtarët, me qytetarët dhe me realitetin.