Përfundon mbledhja e Kryesisë së PD. Në qendër të diskutimeve ishin zgjedhjet e pjesshme në 6 Bashki të vendit, ku kjo forcë politike ende s’ka dalë me kandidatë, përfshirë Tiranën.
Në një prononcim për mediat Berisha tha se kandidatët e opozitës për bashki nuk duhet të jenë figura politike, por figura nga shoqëria civile.
Berisha tha se opozita do të konsiderojë kandidatët e pavarur, teksa tha se kandidatët e PD-së për bashkinë Tiranë dhe 5 bashkitë e tjera duhet të jenë figura nga shoqëria civile dhe jo figura politike.
Kryedemokrati tha se opozita do të konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së.
Berisha: Patëm një diskutim të gjatë, të përgjegjshëm, të lirë. Ajo që predominoj dhe e konsideroj një hap të rëndësishëm në përpjekjen tonë, është se PD ndonëse ka padiskutim kandidatura kalibri për asnjëlloj krahasimi me organizatën kriminale në pushtet, do vlerësojë dhe çmojë shumë kandidaturat e pavarura.
Do konsiderojë me seriozitetin më të madh, kandidatë të pavarur të cilët garojnë si të tillë dhe që konsiderojnë të nevojshme për fitoren e tyre, mbështetjen e PD-së.
Besoj se në një valë me këtë nga diskutimet paraprake janë dhe forcat e tjera opozitare. Dhe kjo jo vetëm në bashkinë e Tiranës, por dhe në bashkitë e tjera.
Ky është një moment do të mendoja unë, për të gjithë ata qytetarë, intelektualë, ata specialistë, ekspertë që ndihen të gatshëm të përballen me narkoshtetin e Edi Ramës, të matin forcat e tyre në një garë në interesin më të mirë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur.