Shqiptari Pano Ruci vijon për të 18-tën ditë grevën e urisë në Sheshin Sintagma të Athinës, duke këmbëngulur se nuk mjafton vetëm hapja e varrit të të birit, Denis Ruci, por duhet të kryhen edhe analizat toksikologjike dhe biokimike, për të përcaktuar realisht shkakun e vdekjes së tij në aksidentrin tragjik të trenave në Tempi.
“Dua t’i theksoj edhe një herë qeverisë të mos guxojë të bëjë nxjerrjen nga varri pa miratimin tim. Ne nuk kërkojmë vetëm test ADN-je. Kërkojmë toksikologji. Kjo duhet të kuptohet shumë mirë”, deklaroi Ruci për kamerën e Orange Press Agency.
Ai po ashtu përgënjeshtroi lajmet se ka refuzuar ndihmën mjekësore nga urgjenca, duke theksuar se u vizitua nga mjek dhe është nën kontroll shëndetësor.
Ndërsa bashkëshortja e tij, Mirela Ruci, tha se ata nuk do dorëzohen për të arritur qëllimin e tyre.
“Nuk ka kthim pas, nuk kemi marrë asnjë informacion zyrtar për nxjerrjen e trupit”, tha ajo, ndërsa theksoi se vendimi për grevën e urisë ishte tërësisht personal.
“Për të qenë e qartë: Zonja Konstandopulu nuk e ka nxitur kurrë Panajotin të hyjë në grevë urie, siç është përhapur në disa media. Ishte vendim i tij personal, unë vetë nuk e dija që do shkonte në Athinë për të protestuar në këtë formë”, tha ajo, duke iu referuar avokates së familjes.
“Nuk kemi marrë asnjë njoftim zyrtar për lejen e nxjerrjes së trupit. Nuk kemi kërkuar asnjë shtyrje të procesit, siç pretendohet. Kërkesa jonë ka qenë e qartë që nga fillimi: Të mësojmë shkakun e vërtetë të vdekjes së fëmijës tonë. Kjo do të thotë toksikologji, biokimi dhe ADN. Burri im nuk do të tërhiqet nëse nuk kryhen analizat toksikologjike”, shtoi ajo.
Avokatja e familjes, Zoi Konstandopulu, theksoi se Pano Ruci po monitorohet nga ekip mjekësh dhe ndihmës vullnetarë si mjekja Olga Kosmopulu, si dhe nga mjekë të Spitalit Shtetëror të Nikesë.
Më tej, Konstandopulu akuzoi Unionin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve se “mbulojnë” funksionarë të drejtësisë që refuzojnë të urdhërojnë ekzaminimin toksikologjik, i cili sipas saj është standard në çdo rast aksidenti, zjarri apo vdekje të dyshimtë.
“Pse mbrojnë ata që shkatërruan mostrat biologjike? Dhe si ka mundësi që urdhërohet nxjerrja nga varri, një akt i tillë dramatik, pa u bërë toksikologjia?”, deklaroi Konstandopulu me tone të ashpra.
Ajo përfundoi duke thënë se greva e urisë është një “e drejtë e shenjtë, personale”, dhe çdo përpjekje për ta delegjitimuar, ose për të sulmuar ata që ndihmojnë grevistin, është një përpjekje për “të mbuluar të vërtetën për krimin e Tembit”.