Dëbora e parë për këtë sezon ka “zbarkuar” edhe në malësitë e Librazhdit që mesditën e sotme, duke sjellë një panoramë të bukur, por edhe problematike për banorët e zonës.
Gazetari Fatmir Popja raporton se sipas të dhënave nga Drejtoria e Zonave të Mbrojtura në Elbasan, reshjet e dendura të dëborës kanë nisur rreth orës 11:00 në Parkun Kombëtar të Shebenikut.
Dëbora ka përfshirë gjithashtu edhe fshatin turistik të Fushë-Studenit, një destinacion i njohur për turizëm malor.
Por përveç bukurisë natyrore, dëbora e parakohshme ka shkaktuar edhe shqetësime të menjëhershme. Bujqësia është në rrezik pasi banorët e kësaj zone nuk kanë mundur ende të përfundojnë shkuljen e patateve, ndërsa toka tashmë është mbuluar nga bora.
Barinjtë nga ana tjetër janë zënë të papërgatitur. Bagëtitë ndodhen ende në stane në kullota malore, duke rrezikuar dëmtimin e tyre për shkak të temperaturave të ulëta.
Pyjet dhe ekosistemet lokale po përballen me një stres klimatik, pasi bora e parakohshme prish ciklin natyror të vjeshtës dhe mund të shkaktojë dëmtime në bimësi.
Edhe në fshatrat e tjerë malorë të Librazhdit nga mesdita e sotme reshjet e dëborës kanë zbardhur majat e maleve”.