Anija e shkëputur “Mikeno” e Flotiljes Globale “Sumud” ka arritur në ujërat territoriale të Gazës, transmeton Anadolu.
Sipas gjurmuesit zyrtar të flotiljes, anija ka hyrë në ujërat territoriale të Gazës, megjithatë sinjali i gjurmimit me anijen humbi kur ishte rreth 9.3 milje detare nga Gaza.
Nuk ka informacion të qartë nëse anija është sulmuar dhe tërhequr, i është shmangur forcave izraelite ose nëse ka ndonjë gabim me gjurmuesin.
Organizatorët thanë se forcat detare izraelite sulmuan flotiljen ndërkombëtare të ndihmës që shkonte për në Rripin e Gazës së rrethuar dhe arrestuan 223 aktivistë në bord.
Flotilja Globale “Sumud” në rrjetet sociale ndau emrat dhe kombësitë e 223 aktivistëve në bordin e 15 anijeve të sulmuara.
Aktivistët në anijet e sulmuara nga Izraeli ishin të kombësive të ndryshme, përfshirë spanjollë, italianë, brazilianë, turq, grekë, amerikanë, gjermanë, suedezë, britanikë, francezë dhe shumë të tjerë.
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit përmes platformës sociale të kompanisë amerikane X tha se aktivistët e ndaluar janë duke udhëtuar drejt portit Ashdod të Izraelit, nga i cili do të deportohen në Evropë.
Gjurmuesi zyrtar i flotiljes tregoi se 21 anije janë sulmuar nga forcat izraelite ndërsa 23 të tjera janë në rrugë për në Gaza.