Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës (27 shtator) në Salari të Tepelenës, ku humbi jetën biznesmeni italian Eduardo Sarchi, 44 vjeç. Ai u qëllua për vdekje nga një distancë prej rreth 120 metrash, nga Kamber Sulçe, tashmë i shpallur në kërkim nga policia.
Sipas dosjes hetimore, motivi i vrasjes ka nisur nga një konflikt banal për dritat e gjata të makinës, mes autorit dhe djalit të ortakut të biznesmenit italian, i identifikuar si Gazmend Braçi.
Në dëshminë e tij, Braçi tregon se pas zënkës me autorin, automjeti i tij mbeti në rrugë për shkak të mungesës së karburantit. Për këtë arsye, ai kërkoi ndihmën e të atit, i cili mbërriti në vendngjarje bashkë me italianin, me dy automjete të ndryshme.
Në atë moment, sipas Braçit, autori filloi të qëllonte nga larg.
“Ai qëllonte në ajër në mënyrë të përsëritur, ndërsa na shante nga distanca. Në një moment nisi të qëllonte në drejtimin tonë dhe ne u shpërndamë. Eduardo shkoi të mbyllte derën e makinës së babit tim, që autori të mos e shihte. Fillimisht mbylli derën e shoferit, pastaj u përkul për të mbyllur derën e pasagjerit, kur u qëllua dhe u godit fatalisht. Ne u shtrimë barkas dhe qëndruam ashtu derisa mbërriti policia”, ka deklaruar ai.
Një tjetër dëshmitar që shoqëronte Braçin u tha hetuesve se sulmi zgjati mbi 20 minuta, me ndërprerje të herëpashershme, duke shtuar frikën dhe panikun mes të pranishmëve.
Të dhënat nga kamerat e sigurisë në zonë dhe dëshmitë e marra në vendngjarje kanë ndihmuar në identifikimin e autorit, i cili është 48 vjeç dhe ndodhet aktualisht në arrati.
Policia dyshon se Kamber Sulçe është ndihmuar nga persona të tjerë për t’u larguar, pasi pas krimit ka braktisur mjetin tip Ford, ngjyrë të bardhë, në zonën mes fshatrave Nivicë dhe Bolenë të Vlorës. Hetimet për kapjen e tij vazhdojnë.