Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi sot se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.
Sejko nënvizoi se inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë muajve korrik-gusht, duke arritur nivelin prej 2.4%, nga 2.3% që ishte mesatarja në tremujorin e dytë të vitit.
Referuar shifrave zyrtare, Sejko tha se punësimi në sektorin privat jo-bujqësor u rrit me 3.4% gjatë tremujorit të dytë, ndërsa papunësia totale në vend ra në nivelin 8.5%. Po ashtu, pagat në sektorin privat kanë shënuar një rritje domethënëse prej 9.5%
Po ashtu Sejko tha Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%, të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.5%, si dhe të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.5%.
“Qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në korrik gusht, duke arritur nivelin 2.4 %, krahasuar me 2.3% që ishte në tre mujorin e dytë të viti. Kjo ecuri u ndikua nga rritja e çmimit te qirave dhe stabilizimi i çmimit të naftës.
Inflacioni i çmimit të ushqimeve vijoi të bjerë, ndërsa çmimet e mallrave të tjerë mbeten të qëndrueshëm.
Në tre mujorin e dytë punësimi në sektorin privat jo bujqësor u rrit me 3.4 %. Papunësia totale në vend ra në nivelin e 8.5% , pagat në sektorin privat u rritën me 9.5%. Tendenca e rritjes së pagave reflekton si kërkesën e lartë për punë, ashtu edhe mungesën e forcës së punës”, tha Sejko.
Sot, më 1 tetor 2025, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e tretë.
Fjalimi i plote i Guvernatorit te BSH
Informacioni i disponuar dhe i marrë në analizë sugjeron vijimin e trendeve pozitive të zhvillimit, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë financiar. Në aspektin ekonomik, vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat janë rritur, ndërsa inflacioni ka qëndruar në nivele të ulëta dhe të qëndrueshme. Në aspektin financiar, falë dhe politikës sonë të kujdesshme monetare, tregjet financiare janë përgjithësisht të qeta, kushtet e financimit mbeten akomoduese, ndërsa kreditimi i sektorit privat vijon të zgjerohet më tej. Në tërësi, konsolidimi i ekuilibrave makroekonomikë, të brendshëm e të jashtëm, ka forcuar stabilitetin e përgjithshëm të ekonomisë, duke krijuar baza për rritjen e qëndrueshme të saj.
Perspektiva e zhvillimit ekonomik në të ardhmen mbetet pozitive, e pasqyruar në parashikime që sugjerojnë rritje të mëtejshme të aktivitetit ekonomik dhe kthimin e inflacionit në objektiv në gjysmën e parë të vitit 2026.
Megjithatë, pasiguria ende e lartë në mjedisin e jashtëm mbetet një faktor rreziku për zhvillimet në vend. Dinamikat tregtare dhe gjeopolitike, si dhe luhatjet e çmimeve të mallrave bazë në tregjet ndërkombëtare, mbartin pasiguri dhe kërkojnë ndjekjen e politikave të kujdesshme.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe për të mbështetur zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.
***
Inflacioni shënoi një rritje të lehtë në muajt korrik e gusht, duke arritur në nivelin 2.4%, nga 2.3% në tremujorin e dytë. Kjo ecuri u ndikua kryesisht nga rritja e çmimit të qirave dhe stabilizimi i çmimit të naftës. Nga ana tjetër, inflacioni i çmimeve të ushqimeve vijoi të bjerë, ndërsa çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të tjera mbetën relativisht të qëndrueshme.
Në aspektin makroekonomik, ecuria e inflacionit vijon të pasqyrojë një rritje të lehtë të presioneve të brendshme inflacioniste dhe një nivel të ulët presionesh të huaja. Presionet e brendshme inflacioniste vijojnë të ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, si dhe nga rritja e pagave dhe e kostove e të prodhimit. Nga ana tjetër, presionet nga mjedisi i jashtëm mbeten në dobëta, në pasqyrim të rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe mbiçmimit të Lekut. Këta faktorë kanë mbajtur inflacionin e importuar në nivele historikisht të ulëta dhe, së bashku me goditjet e përsëritura të ofertës në çmimet e ushqimeve, kanë kontribuuar në ecurinë e inflacionit poshtë objektivit 3%.
Sipas të dhënave të Instat-it, aktiviteti ekonomik u rrit me 3.5% në tremujorin e dytë, pas rritjes me 3.7% në tremujorin e parë. Kjo ecuri ishte në linjë me pritjet tona. Rritja ekonomike pasqyroi zgjerimin e kërkesës së brendshme, në formën e rritjes së konsumit e të investimeve të sektorit privat dhe publik, si dhe rritjen e të ardhurave nga turizmi. Nga ana tjetër, tkurrja e eksportit të mallrave dhe rritja e importeve ndikoi negativisht në rritjen ekonomike. Kjo ecuri e kërkesës agregate u pasqyrua në rritje të aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori bujqësor dhe ai industrial vijuan të shënojnë rënie.
Në tërësi, zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar edhe në dinamikat e tregut të punës. Në tremujorin e dytë, punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4%, papunësia totale ra në nivelin 8.5%, ndërsa pagat e sektorit privat u rritën me 9.5%. Tendenca e rritjes së pagave në sektorin privat gjatë viteve të fundit reflekton si kërkesën e lartë për punë, ashtu edhe mungesën e fuqisë punëtore. Këto zhvillime dëshmojnë për një rritje të të ardhurave të familjeve shqiptare, por ato vijojnë të mbeten edhe një faktor rreziku për transmetim më të shpejtë të kostove të shtuara të prodhimit në inflacion.
Zgjerimi i konsumit dhe i investimeve në ekonomi është nxitur nga zhvillimet pozitive në tregun e punës, gjendja e qëndrueshme financiare e sektorit privat, klima pozitive e besimit, si dhe kushtet e favorshme të financimit.
Ambienti i brendshëm financiar vijon të mbetet akomodues për rritjen ekonomike. Normat e interesit kanë ndjekur, në përgjithësi, një tendencë rënëse, në pasqyrim të lehtësimit të politikës monetare dhe të primeve të kontrolluara të rrezikut. Paralelisht me to, mbiçmimi i kursit të këmbimit është zbutur, në linjë me zhvillimet në sektorin e jashtëm të ekonomisë dhe me rritjen e prezencës së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Së fundmi, qasja e bankave ndaj kreditimit mbetet mbështetëse, sikurse dëshmohet nga kushtet e lehtësuara të ofertës së kredisë për sektorin privat.
Rritja e kredisë ka vijuar të jetë dinamike edhe gjatë muajve korrik e gusht, duke regjistruar një normë vjetore prej 14%. Zgjerimi i portofolit të kredisë vijon të jetë i diversifikuar, në drejtim të profilit të përfituesve dhe të destinacionit të kredisë, duke ruajtur – në të njëjtën kohë – një nivel të ulët të kredive me probleme. Dinamikat e muajve të fundit kanë sjellë rritje të mëtejshme të peshës së kredisë në Lekë, e cila ka arritur në 58.2% të totalit, si dhe një kontribut më të lartë të kredisë për investime. Tendenca rritëse e kësaj të fundit sinjalizon përmirësime si në aspektin sasior, ashtu edhe në atë cilësor të kapaciteteve prodhuese të ekonomisë sonë.
Perspektiva për kreditim mbetet pozitive, e mbështetur nga kërkesa e lartë, shëndeti i mirë i sektorit bankar, si dhe nga kushtet e favorshme të financimit.
Sipas skenarit bazë të parashikimeve, ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë viteve në vazhdim, me ritme solide dhe të përafërta me potencialin e saj afatgjatë. Konsumi privat dhe investimet do të mbeten motorët kryesorë të rritjes, të mbështetur nga një treg pune i qëndrueshëm, një klimë pozitive besimi, si dhe nga mjedisi financiar i qëndrueshëm. Nga ana tjetër, turizmi pritet të vijojë të japë një kontribut pozitiv, ndonëse më të moderuar, ndërkohë që një lidhje më e fortë e tij me sektorët e tjerë të ekonomisë do të mundësojë një ndikim më të gjerë dhe afatgjatë.
Paralelisht me të, inflacioni pritet të kthehet në objektivin tonë prej 3% në gjysmën e parë të vitit 2026. Ky parashikim pasqyron pritjet tona për një rritje graduale të inflacionit të importuar, ndërkohë që presionet e brendshme inflacioniste pritet të mbeten të qëndrueshme dhe konsistente me objektivin e inflacionit.
Balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit mbetet neutrale në afatin e mesëm. Nga njëra anë, rreziqe që mund të shtyjnë inflacionin mbi pritjet janë një fragmentarizim më i madh i tregtisë dhe ekonomisë globale apo një intensifikim i tensioneve gjeopolitike. Nga ana tjetër, një ngadalësim më i fortë i ekonomive partnere apo një rënie më e shpejtë e çmimeve të lëndëve bazë në tregun global do të ushtronin presione në kahun rënës.
***
Bazuar në sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.50%;
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.50%.
- të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.50%.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se qëndrimi aktual i politikës monetare është konsistent me kthimin e qëndrueshëm dhe në një kohë të arsyeshme të inflacionit në objektiv. Aktualisht, kushtet monetare mbështesin një rritje të ekonomisë pranë potencialit, një balancim më të mirë të kërkesës dhe ofertës në tregun e punës dhe ankorimin e pritjeve për inflacionin.
Këshilli Mbikëqyrës thekson se politika jonë monetare do të vijojë të udhëhiqet nga të dhënat më të fundit dhe, në veçanti, nga balanca e faktorëve që ndikojnë ecurinë e çmimeve në vend. Në një mjedis me pasiguri të lartë, kjo qasje garanton fleksibilitetin e nevojshëm për të reaguar në mënyrë efektive ndaj çdo devijimi nga parashikimet tona bazë dhe për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar.