Një 15-vjeçare rezulton e zhdukur që prej datës 1 shtator. Babai i adoleshentes foli sot në emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, me moderatore Evis Ahmetin.
Ai ndau në studio një rrëfim emocional, duke treguar se vajza kishte ndryshuar sjellje muajt e fundit dhe kalonte shumë kohë në rrjetet sociale, kryesisht në TikTok.
“Vajza ime nuk është e paqëlluar. Nuk i ka munguar asgjë. Sa kam pasur mundësi, ia kam plotësuar gjithçka. Ditët e fundit ishte bërë nervoze, thoshte ‘kam jetën time’. Kalonte orë të tëra në TikTok. Ajo doli nga shtëpia në orën 12:30 të natës së 1 shtatorit. Unë po i jepja ilaçet gruas kur dëgjova një zhurmë makine. Dola zbathur në oborr dhe pashë që një makinë u largua me shpejtësi në drejtim të kundërt,” u shpreh ai.
Babai tregon se nuk është hera e parë që vajza largohet nga shtëpia. Sipas tij, më herët ajo kishte munguar për rreth një javë, por ishte kthyer sërish, pa dhënë shumë shpjegime.
“Herën e parë më tha se kishte qenë te shoqja për kafe. Por asnjëherë nuk tregonte të vërtetën. Telefonin e ka të bllokuar, nuk kemi asnjë kontakt me të,” – vijoi ai.
Ai shprehu dyshime serioze për rolin e shoqërisë së vajzës, si dhe ngriti akuza të forta ndaj Policisë, duke aluduar se ata janë në dijeni për vendndodhjen e të bijës, por nuk ndërhyjnë.
“Unë dyshoj se shoqja e saj e ka futur në këtë histori. Policia e ka bërë këtë rrëmujë. Kam shkuar 4-5 herë në komisariat, por më thonë që çështja është në duart e prokurorisë. Punonjëset sociale më thonë që të mos i bëjmë presion, por unë jam baba dhe dua të di ku është vajza ime,” – tha ai me lot në sy.
Sipas babait, vajza e kishte telefonuar nënën ditën që u largua, duke i thënë se do të vinte në shtëpi, por nuk i kishin dhënë leje në punë, e më pas telefoni i saj ishte fikur dhe nuk u hap më.